Irani ka si qëllim krijimin e 5 bombave të mëdha bërthamore, të ngjashme me atë të hedhur në Hiroshima. Akuza e rëndë vjen nga Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu. Në një dalje publike, ai paraqiti mbi 100 mijë dokumente të siguruara nga shërbimet sekrete izraelite që provojnë se regjimi i Teheranit ka gënjyer dhe po e zhvillon programin bërthamor në fshehtësi.

“Pasi firmosi marrëveshjen për ndalimin e armëve bërthamore në vitin 2015, Irani u përpoq të fshihte dosjet e programit bërthamor, të mbajtura në këtë magazinë në dukje të thjeshtë, por nga brenda një arkiv atomik. Këto dokumente inkriminuese provojnë se Irani gënjen paturpsisht kur thotë se nuk ka pasur kurrë një program bërthamor”.

Pas zbulimit nga Izraeli të arkivës bërthamore të Iranit, reagoi edhe Presidenti amerikan Donald Trump, i cili tha se situata është e papranueshme dhe se një vendim do të merret brenda 12 Majit. Ndaj këtyre akuzave reagoi edhe lideri suprem i regjimit të ajetollahëve, Ali Kamenei, i cili tha se kjo është një vepër e SHBA me qëllim përshkallezimin e krizës në Lindjen e Mesme.

Tv Klan