Në momentin kur mendohej se negociatat janë pranë dështimit, ministrat e jashtëm të Maqedonisë dhe Greqisë, Nikolla Dimitrov, kanë arritur një ujdi për çështjen e emrit gjatë një takimi maratonik në Bruksel.

Burime diplomatike në kryeqendrën europiane i thanë KDPolitik.com se të dyja palët janë pajtuar për propozimin “Republika Veriore e Maqedonisë”, korniza e të cilit duhet të qartësohet në ditët në vijim.

Sipas informacioneve, emri do të jetë në përdorim të përgjithshëm, por që nuk do t’i referohet gjuhës dhe etnisë maqedonase. Pra, një emër që do të përdoret ekskluzivisht për shtetin në emërtimin e tij në vend, në raporet dypalëshe me shtetet tjera dhe në institucionet ndërkombëtare.

Burimet e KDPolitik.com thonë se marrëveshja duhet të ratifikohet në Parlament në fillim të javës tjetër, kurse për të hyrë në fuqi në tetor do të organizohet referendumi që fjalën e fundit ta thonë qytetarët e Maqedonisë.

Pritet që në ditët në vijim të ushtrohet presion diplomatik mbi partinë opozitare VMRO-DPMNE, e cila nuk pajtohet që “Republika Veriore e Maqedonisë” të jetë edhe në përdorim të brendshëm. Kjo parti u pajtua që emri “Republika Ilinditase e Maqedonisë” të zbatohet erga omnes, por pala greke e refuzoi si zgjidhje. /KDPolitik.com/

Artikulli paraprakGruevski thotë se nuk i njeh gjyqtarët, Jankulloska dhe Dimovski thirren në amnisti (Video)
Artikulli tjetërPas incidentit, bashkëshortja e Milaim Zekës humb fëmijën në muajin e tretë të shtatzënisë (VIDEO)