Ndonëse nuk shfaqen që në stadet më të hershme, kancerin në zorrën e trashë mund ta sinjalizojnë shqetësime të tilla që kanë të bëjnë me: “Gjak në fekale (ngjyrim i kuq ose i zi i feçeve), probleme të tjera gjatë jashtëqitjes, si për shembull presion për jashtëqitje pa qenë nevoja për një gjë të tillë, dhimbje të papritura të barkut, të cilat vijnë duke u rënduar gjithnjë e më shumë”.

Po ashtu edhe ndryshimi i shprehive të “daljes jashtë”, si për shembull alternime të diarresë dhe konstipacionit, jashtëqitje e hollë sa një laps, ngërçe gjatë jashtëqitjes, ose mbufatje të forta pa ua ditur shkaktarin, si dhe humbje e padëshirueshme e peshës, janë simptoma që duhet t’ju orientojnë drejt marrjes së ndihmës së specializuar mjekësore.

Sipas mjekëve të QSUT-së, jashtëqitja e shpeshtë është simptoma tipike e kancerit kolorektal (kancerit të zorrës së trashë). Përveç këtyre simptomave, edhe dhimbja e barkut, humbje e oreksit, dobësi dhe humbje pa shkak të peshës, anemi e pashpjegueshme, gjak në jashtëqitje, janë ndër shenjat e para dalluese të kancerit të zorrës së trashë.

Për arsye të mungesës së të kuptuarit në kohë të sëmundjes, aktualisht shumica e pacientëve që marrin mjekim, janë me kancer të stadeve shumë të avancuara, kohë në të cilën trajtimi mund të mos jetë efikas.

“Në kancerin e hershëm të zorrës shpesh nuk ka simptoma, pasi zbulohen gjak dhe qelb në jashtëqitje, sëmundja ka përparuar. Është e rëndësishme që pacientët të bëjnë kontrolle të rregullta shëndetësore. Studimet kanë treguar se regjistrimi asimptomatik tek pacientët që nuk kanë asnjë simptomë të dukshme, është e vetmja mënyrë për zbulimin e hershëm të kancerit të zorrës së trashë”, bëjnë me dije mjekët e QSUT-së.

Ekzaminimi më i rëndësishëm për diagnozën e kancerit në zorrë është kolonoskopia (imazhi vizual i zorrëve). Me këtë rast do të futet një instrument (endoskopi) përmes anusit drejt zorrës. Zorra do të mund të vëzhgohet nga brenda ekzaktësisht përmes një kamere, ndërsa me ndihmën e instrumenteve specialë do të hiqen (shkëputen) inde për provë. Më vonë këto do të kontrollohen në laborator për prani të qelizave kanceroze.

Për të konstatuar se sa larg mund të ketë shkuar tumori në përhapjen e tij, sipas rrethanash kërkohet edhe kryerja e ekzaminimeve të tjera imazherike. Rezultatet e këtyre ekzaminimeve do të përcaktojnë edhe llojin e trajtimit që duhet të ndjekë pacienti më pas.