Vendimi i Partisë Komuniste të Kinës për t’ju përmbajtur teorive politike të Karl Marksit, mbetet “tërësisht i drejtë”.

Kështu është shprehur presidenti kinez Xi Jinping, në prag të 200-vjetorit të lindjes së filozofit gjerman të shtunën. Në Sallën e Madhe të Popullit në Pekin, presidenti deklaroi gjithashtu se është tërësisht i drejtë edhe promovimi i vazhdueshëm dhe modernizimi i pikëpamjeve marksiste.

Që prej ardhjes së tij në pushtet në vitin 2012, Xi, i konsideruar si udhëheqësi më i fuqishëm i Kinës që prej Mao Ce Dunit, i ka kërkuar Partisë Komuniste të mos harrojë rrënjët e saj socialiste ndërkohë që punon për të arritur “ringjalljen e madhe të kombit kinez”. Xi gjithashtu ka udhëzuar të gjithë anëtarët e partisë që ta kthejnë në “mënyrë jetese” dhe “bindje shpirtërore” leximin e shkrimeve marksiste.

Fjalimi i presidentit në Sallën e Madhe të Popullit vjen në përmbyllje të një fushate 1-javore propagande nga mediat shtetërore, me sloganin “Marksi kishte të drejtë”, që kishin si qëllim të tregonin se teoritë e filozofit gjerman mbeten të rëndësishme për Kinën moderne dhe brezin e ardhshëm.