Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë tërhequr nga skenari i luftës tregtare. Pekini u ka bërë thirrje kompanive kineze që të blejnë naftë dhe grur nga ato amerikane, ndërsa Uashingtoni ka hequr masat që ndalonin shitjen e materialeve teknologjike tek konglomeratet kineze.

Kina pritet të rrisë në nivel rekord importet e naftës dhe sojës nga Shtetet e Bashkuara. Parashikimet vijnë pak ditë pasi qeveria në Pekin u bëri thirrje bizneseve vendase që t’i blejnë lëndët në fjalë tek partnerët amerikanë.

Lëvizja në fjalë, siç shkruajnë mediat amerikane, është shprehje e vullnetit të gjigandit aziatik për t’u tërhequr nga perspektiva e luftës tregtare me Shtetet e Bashkuara, që do të kishte pasoja globale.

Me një vendim të ngjashëm, presidenti Donald Trump urdhëroi të mërkurën shfuqizimin e masave që u ndalonin kompanive amerikane të eksportonin produkte teknologjike për gjigantin kinez të komunikacionit, ZTE.

Sidoqoftë, të mërkurën Trump deklaroi se objektivat e negociatave dypalëshe janë ende larg së qenurit të arritur. Ai theksoi se, gjatë procesit konstatohet nevoja për marrëveshje të reja dhe çdo marrëveshje kërkon një strukturë të re.

Kina është një nga importuesit më të mëdhenj të naftës dhe sojës në botë dhe rritja e importeve nga Shtetet e Bashkuara pritet të plotësojë kërkesën e brendshme të saj për konsum.

Gjithashtu, importet do të ndikojnë në reduktimin e surplusit ekonomik kinez ndaj atij amerikan, një kërkesë kjo e vazhdueshme e presidentit Trump./abcnews.al

Artikulli paraprakPër diasporën flitet shumë, por punohet pak
Artikulli tjetërBashkëshortet e luftëtarëve të ISIS dënohen me vdekje