Emri i saj është më i përmenduri për ditën e sot, pas pyetjeve që vunë në siklet Kryemistrin, Edi Rama. Kreu i qeverisë, i cili sapo ishte kthyer nga Sofia, nxitoi që konferencën për media ta mbante në Rinas, si për të mos humbur asnjë minutë kohë për të shprehur zhgënjimin ndaj liderëve të BE-së.

Shqipëria e Edi Ramës është vendi për të cilin me shumë gjasë nuk do të ketë çelje të negociatave. Gjëja e fundit për të cilën Edi Rama kishte sot nevojë, ishte rizgjimi i guximit të një gazetareje për të bërë pyetje dhe për të marrë përgjigje. Jo vetëm kaq.

Të një gazetareje që nuk zbythet pas çdo vërejtje vetullash të Edi Ramës, të një gazetareje që nuk tutet përballë presionit verbal të një kryeministri, dhe të një gazetareje që të mund ta kapte për zhelesh me fjale e ta largonte me turp nga foltorja.

Ambrozia Meta është gazetare e politikës në Fax News prej vetëm 5 muajsh, me origjinë nga Tepelena vajzë e e dy prindërve intelektualë dhe që prej dy vitesh ka mbaruar Fakultetin e Gazetarisë. Për ata që e njohin thonë se Ambrozia Meta është e apasionuar pas letërsisë e sidomos pas dy shkrimtarëve, Ismail Kadare dhe Stefan Cvajg.

Vetëm 25 vjeçe, Ambrozia Meta është bërë sot personazhi më i njohur në opinionin publik për një fakt ndoshta në dukje banal, por për median në Shqipëri që lëngon nga nënshtrimi, shumë i rëndësishëm.

Gazetarja Ambrozia Meta e gozhdoi me vetëm një pyetje të njëjtin Kryeministër që deliron studio më studio me orë e orë e të tëra, sidomos në 5 vitet me fundit përballë gazetarëve milionerë të karrierës, të cilët që me shumë gjasë kanë ndjerë sadopak turp.

Ironia është se Ambrozia Meta, nuk është aspak gazetarja më e njohur dhe më e paguar në treg, përkundrazi.

Merita kryesore pse Ambrozia Meta sot është një “hit” në opinionin publik, i takon mësëpari vetë vajzës nga Tepelena, për të vetmin fakt se sjellja e saj si profesioniste është diçka e panjohur prej vitesh në tregun mediatik shqiptar.

25 vjeçarja e ndrojtur, gazetarja Ambrozia Meta e detyroi sot 56 vjeçarin më arrogant të Shqipërisë Edi Ramën Kryeministër, të braktiste foltoren dhe të shkonte banjo.

E gjitha kjo me një lehtësi të papërshkrueshme, ashtu thjeshtë, me sinqeritetin e një 25 vjeçareje dhe me guximin e një gazetareje trime, përballë një kryeministri frikacak dhe të kapur në befasi nga e vetmja media që ende nuk e ka shtënë në dorë.