Nga Koreja e Veriut e deri tek Irani, Siria dhe Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia ndajnë qëndrimet krejtësisht të kundërta me njëra-tjetrën. Moska thotë se këto problematika nuk mund të zgjidhen me ultimatume.

“Problemi bërthamor në Gadishullin Korean, marrëveshja për programin bërthamor iranian, përleshjet e brendshme në Ukrainë dhe terrorizmi në Siri, nuk mund të zgjidhen me ultimatum dhe çdo tentim për imponim të zgjidhjes është dënuar të dështojë”, deklaron ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov.

Kryediplomati rus foli gjatë një eventi ndërkombëtar të organizuar në kryeqytetin rus. Ai thotë se Moska mbetet e hapur dhe e interesuar të normalizojë marrëdhëniet me Uashingtonin.

“Ne nuk dëshirojmë të kemi marrëdhënie konflikti me cilin do vend, e as me SHBA-të. Herë pas here mirëpresim sinjalet nga Presidenti amerikan Donald Trump dhe zyrtarët tjerë nga Uashingtoni për domosdoshmërinë e procesit të normalizimit të marrëdhënieve tona.

Ne jemi të gatshëm për këtë, por presim ofertë konkrete”, shtoi ai. Lavrov pritet të udhëtojë drejt Koresë së Veriut ditën e mërkurë, ku do të takohet me Kim Jong-un. Vizita mbërrin mes përpjekjeve të Penianit dhe Uashingtonit për të gjetur gjuhën e përbashkët për një samit me Donald Trump.