I akuzuari në rastin Monstra, Haki Aziri iu përgjigj pyetjeve të drejtpërdrejtë në seancë për rigjykimin e rastit. Aziri në përgjigjet e tij shpalosi detaje që deri më sot nuk i kishte dëgjuar opinioni. Ai tha se më 1 maj pas arrestimit ishte dërguar në stacion policor dhe nga aty në Koçan. Policia e kishte mësuar çfarë të deklaronte, duke i thënë në të njëjtën kohë se i rrezikohet e gjithë familja dhe jeta e tij. Aziri tregoi se më pas ishte dërguar tek një person i cili ia kishte dhënë një letër ta nënshkruante, e që pas verifikimit doli të ishte ish drejtori i Byrosë së Sigurisë Publike, Lupço Todorovski. Për të vërtetuar nëse trupi i tij ka plagë si pasojë e dëshmisë nën dhunë, Prokuroria kërkoi video incizimin nga deklarimi i tij më 7 maj 2012.

Më arrestuan në mënyrë brutale. Babanë tim e shkelnin në qafë, ndërsa mua më godisnin me shqelma në fytyrë. Më pas dy inspektor më dërguan tek një ndërtesë e MPB-së dhe një person më tha të nënshkruaj një letër. Mësova që nofkën e kishte “Radnik” (Lupço Todorovski). Më kanë dërguar në Koçan. Aty më kanë rrahur dhe kanë kërkuar nga unë që të bëhem dëshmitar i fshehtë. Gjatë gjithë kohës më kanë mësuar çfarë duhet të them. Duke u kthyer në Shkup më dhanë një sandviç, ku në letrën e tij shkruante emri im dhe më thanë se e kam nga familja. E hedh poshtë deklaratën e dhënë në procedurën para hetimore. I qëndroj pas vetëm deklaratës së dhënë në seancë kryesore – tha Haki Aziri, i akuzuar.

Aziri për deklarimet e tij u shpreh i gatshëm të përgjigjet edhe nën kontrollin e poligrafit. Pyetjeve të drejtpërdrejta iu përgjigj edhe i akuzuari Sami Luta i cili u pyet për provat e gjetura në shpijnë e tij mes tyre edhe një maskë. Luta para trupit gjykues numëroi edhe gjerat të cilat i kishte konfiskuar policia nga shtëpia e tij. Avokatët e të akuzuarve thonë se çdo emër i dalë në procedurë gjyqësorë, do të propozohet si dëshmitarë në të ardhmen.

Secili që në të ardhmen do të përmendet me emër dhe mbiemër e posaçërisht personat zyrtarë, por edhe ky person që sot u përmend në procedurë, do të propozohet nga ana jonë. Mendoj se një propozim të tillë do ta pranojë edhe Specialja pasi që deklarata e tij është kruciale për procesin gjyqësorë – tha Naser Raufi, avokat.

Gjykimi i radhës do të mbahet me 12 qershor.

Adrian Kerimi