Nga 218 shtete qytetarët e Maqedonisë lëvizin pa viza në 125 prej tyre. Sipas raportit të fundit të firmës “Henli End Partners”, për dy vite Maqedonia ka lëvizur për 5 vende më lart, duke u ranguar kështu e dyzet e njëta me radhë për vlerën e pasaportës.

Sipas profesorit universitar, Ylber Sela vlera e pasaportës së një shteti varet nga disa parametra. Ai shton se vendi jonë është në tranzicion demokratik, megjithatë duhet punuar për të rritur edhe më shumë vlerën e pasaportës.

“Normalisht që vlera e një pasaporte është shumë e madhe, pasi që njerëzit që pajisen me pasaportë normalisht që kanë të drejtën e udhëtimit në vende të ndryshme të botës dhe janë disa parametra të cilat i japin vlerën pasaportës, varet se shteti sa është i fuqishëm ekonomikisht, politikisht. Do të thotë në të gjitha sferat. Politikanët apo edhe ata që udhëheqin me shtetin duhet të mundohen që ta rrisin vlerën e pasaportës, sepse sa më e fuqishme të jetë ajo aq më shumë qytetarët kanë përfitime kundrejt shteteve tjera në sistemin ndërkombëtar”, tha Ylber Sela, profesor universitar.

Me pasaportë maqedonase përveç në vendet të BE-së, mund të udhëtohet edhe në mbi 90 shtete tjera. Japonia që është e para në ranglistën e raportit, shtetasve maqedonas nuk u kërkon vizë për udhëtim atje. Veç saj, vizë nuk duhet edhe për Hong Kong, si rajon i veçantë i Republikës Popullore të Kinës, përderisa për udhëtim në vendet tjera të Kinës duhet vizë. Vetëm me pasaportë mund të udhëtohet edhe në Singapor, Republikën Dominikane, Guatemalë, Bahamas e tjerë. Sipas rangimit të “Henli End Reports”, Maqedonia ka lënë pas vete në listë shtetet fqinje si Bosnjë dhe Hercegovina, Mali i Zi, Shqipëria dhe Kosova. Ndërkaq në fund të listes figurojnë kryesisht vendet e lindjes së mesme. Pasaporta Maqedonisë, vlerën e saj e shtoi me liberalizimin e vizave në vitin 2009.

Përgatiti: Sara Kajolli

Artikulli paraprakEMRI, KU DALLOJNË PALËT NEGOCIATORE? MUHAMEDI: EDHE SHQIPTARËT DUHET TË REDAKTOJNË DRAFTIN (VIDEO)
Artikulli tjetërGJYKATA E APELIT SHFUQIZOI AKTVENDIMIN, AHMETI DHE XHAFERI PËRSËRI NË GJYKATË KUNDËR BOGOEVSKIT (VIDEO)