Mbeturina dhe qen rrugësh nëpër Qendrën klinike universitare “Nënë Tereza” në Shkup.
Pacientët ditën druajnë nga kafshimet, e natën nuk flenë gjumë në të lehurat.
Rreth 8 mijë vizitorë që vijnë çdo ditë, përveç se nuk kanë ku të parkohen, ata ankohen edhe nga mungesa e mirëmbajtjes së hapësirave të jashtme dhe nga niveli i ulët i higjienës së brendshme nëpër klinika.

“Nuk është shtrenjtë, por kot kur nuk ka vend se ku të parkojmë. Kot paguajmë kur të gjitha vend parkimet janë të zëna. Çdo ditë situatë e njëjtë, kurdo që vij nuk ka vende të lira. Duhet të vish në ora 6 e mëngjesit për të zënë një vend parkim”, tha një qytetar.

“Po mbeturinat po na pengojnë. Pyetni të tjerët se skam çfarë të të them. Po nuk është mirë, gjithandej ka mbeturina ashtu siç po e shihni”, tha një pacient.

“Megjithatë kur të ketë më shumë njerëz bëhet rrëmujë e madhe me vetura e gjëra tjera disi nuk i kanë punët e rregulluara. Këtu ka hapësirë të gjerë ku mund të bëhet një parking i madh. Megjithatë, nuk bëhet fjalë vetëm për atë. Kjo klinikë është për tu përshëndetur, përderisa kur vizitoj klinikat tjera atje është krejtësisht ndryshe, shoku. Skam çfarë të flas, më mirë shkoni e i shihni vetë”, tha një vizitor.

Katër vjet më parë, në kohën kur me Ministrinë e shëndetësisë udhëhiqte Nikolla Todorov, kompetencat për administrimin e parkingut dhe higjienës, u morën nga Drejtoria për shërbime të përbashkëta spitalore.
Drejtoresha Shkodrane Dardhishta thotë se paraprakisht këtij institucioni iu morën edhe shërbimet e kuzhinës dhe lavazhit të klinikave që nga viti 2007, kur edhe është themeluar i njëjti.

“Natyrisht nëse ekzistojnë një drejtori e tillë për me i dhënë të gjitha shërbimet ndaj klinikave, pse atëherë do të duhet të cungohet ose të merren kompetencat nga kjo drejtori?”, u shpreh Shkodrane Dardhishta, drejtoreshë e Shërbimeve të përbashkëta spitalore.

Kjo situatë po përkeqësohet vitin e fundit, kur kompanisë private për mirëmbajtjen e hapësirave të jashtme të klinikave i ka skaduar kontrata. Ajo thotë që paratë e klinikave që paguanin kompaninë private, po të grumbulloheshin në institucionin e saj do të kishte investime për nevojat e klinikave.

“Ministria  shëndetësisë e ka shpall këtë tender, duke e lidh kontratën me firmën “Sted Komerc”. Unë nuk e kam parë asnjëherë atë kontratë, por nga drejtorët e qendrës klinike kam dëgjuar se diku 30.000 denarë në muaj kanë paguar për shërbimet që kanë marrë. Për ato 4 vjet sa ka menaxhuar firma “Sted Komerc” kanë qenë të kënaqura klinikat pjesërisht edhe pse ka pasur nevojë se çdo herë institucioni jonë të kujdeset gjithashtu. Edhe pse ka pasur firmë të angazhuar ne tërë kohen kemi ndihmuar nëpër aksionet e organizuara dhe në mirëmbajtjen e përditshme”, tha Dardhishta.

Dardhishta thotë se janë në proces të rikthimit të kompetencave nga ministria deri tek institucioni që e udhëheqë. Ajo shprehet e gatshme për t’i rimarrë kompetencat, por kërkon që për organizimin e punës duhet të punësojë më tepër personel, për çka është në pritje të pëlqimit nga Ministria e financave. Deri sa të merren vesh mes veti, për të mos i mbuluar mbeturinat, ajo për të shtunën ka bërë thirrje për një aksion të përbashkët pastrimi nëpër të gjithë Qendrën klinike universitare.

Përgatiti: Adnan Qaili

Artikulli paraprak24 vende të lira pune në Klinikën universitare për Kardiologji-Shkup
Artikulli tjetërIrani i bën presion Evropës për të shpëtuar marrëveshjen bërthamore