Duke filluar nga kjo e premte, të dhënat e qytetarëve të Bashkimit Europian mbrohen me një rregullore të re që ka për qëllim të sigurojë përdorimin sa më transparent të tyre. Masat e ndërmarra nga blloku europian parashikojnë gjoba të rënda sidomos për kompanitë teknologjike të cilat keqpërdorin të dhënat e përdoruesve.

Bashkimi Europian ka aktivizuar rregulla të reja për mbrojtjen e informacioneve personale. Rregullorja e Përgjithshme e Mbrojtjes së të Dhënave e hyrë në fuqi këtë të premte, i jep qytetarëve të BE-së më shumë kontroll mbi mënyrën si informacionet e tyre përdoren nga firmat e teknologjisë.

Nën këto rregulla, kompanitë që punojnë në Bashkimin Europian, ose çdo shoqatë ose klub prezent në bllok, duhet të marrë pëlqim të shprehur nga përdoruesit për të mbledhur informacionet e tyre personale, përndryshe ata do të përballen me gjoba të rënda të cilat arrijnë deri në 20 milionë euro ose 4% të xhiros globale të një kompanie.

Ligjbërësit në Bruksel miratuan legjislacionin e ri në prill 2016 dhe teksti i plotë i rregullores është publikuar në internet. Masa detyron kompanitë t’i tregojnë përdoruesve të prekur çdo shkelje të dhënash dhe t’i raportojnë autoriteteve mbikëqyrëse brenda 72 orëve. Secili shtet anëtar i BE-së duhet të krijojë një strukturë të tillë dhe këto autoritete do të bashkëpunojnë përtej kufinjve për të siguruar që kompanitë i binden rregullores së re./Ora News.tv/

Artikulli paraprakShqipëria, Mali i Zi e Kroacia bëhen bashkë për pastrimin e Adriatikut
Artikulli tjetër“Bond 25”, Danny Boyle dhe Daniel Craig konfirmohen