Shkupi do të bëhet edhe me një qendër të re tregtare, por kjo do të jetë ndër më të mëdhatë në rajon me një sipërfaqe prej 45 mijë m2, ose 8 mijë m2 më e madhe se “Skopje City Mall”. Mbrëmë në mënyrë solemne u promovua projekti “Skopje East Gate”, investim ky i kompanisë “Balfin Group” nga Shqipëria, i njëjta që ndërtoi edhe Q.T. “Skopje City Mall”. Pronari i kësaj kompanie investuese Saimir Mane, për TV21, tha se në këtë kompleks do të hapen rreth 2 mijë vende të reja të punës.

“Qytetarët do të përfitojnë shumë gjëra nga kjo qendër tregtare. Sëpari, çmime më të lira, sëdyti shitje moderne dhe sëtreti, padyshim atë që përfitojnë në çdo vend të Evropës do të kenë kënaqësinë për të vizituar, për të kaluar kohën e lirë, por edhe për të ardhur të blejnë më lirë dhe padyshim shumë gjëra tjera, të cilat do të vijnë gjatë projektit”, tha Saimir Mane, Pronar i “Balfin Group”.

Drejtori i ndërmarrjes “Neptun-Maqedoni”, Arsim Papraniku tha se festës së 20 vjetorit të themelimit të Neptun-in në Maqedoni po i shtohet investimi i ri nga kompania amë.

“Sonte kemi edhe një arsye të festojmë dhe ky është investimi ynë “Skopje East Gate”. Projekt, me të cilin vërtetë krenohemi dhe së shpejti do të bëhemi brendi më i madh i qytetit të Shkupit. Ky projekt është vërtetë i madh ashtu siç është edhe sfida, jo vetëm për investimin por edhe për realizimin e tij”, tha Arsim Papraniku, drejtor i “Neptun-Maqedoni”.

Sipas ekspertit ekonomik Fatmir Bytyqi përveç uljes së papunësisë në vend, kjo qendër do të rrit konkurrencën në shitjen me pakicë dhe do të ulë çmimet në tregun ushqimor dhe të tekstilit.

“Ne duhet të mburremi se po na vjen një investim shumë etnik, me prejardhje shqiptare në Maqedoni. Me investim fillestar prej 180 milion eurove, kurse në 15 vjetët e fundit, ndoshta të gjitha investimet e huaja në Maqedoni nuk e kanë kaluar shumën e 250 milion eurove”, tha Fatmir Bytyqi, Ekspert i Ekonomisë.

Ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi tha se ky investim do të sjell shumë dobi për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e Bruto prodhimit vendorë. Ai inkurajon kompanitë e huaj që të investojnë në Maqedoni.

“Ne si Republikë e Maqedonisë jemi shumë të interesuara që të thithim investime, jo vetëm të huaja, por edhe të vendit. Neve na gëzon fakti që ky investim realizohet nga një vend mik i joni nga Shqipëria. Inkurajoj të gjitha kompanitë të rajonit, posaçërisht kompanitë nga Kosova dhe Shqipëria që të vijnë dhe të rrisin kapacitetet e tyre dhe të zgjedhin Maqedoninë si vend i ardhshëm për realizimin e planeve biznisore të tyre”, u shpreh Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Investimi fillestar do të jetë 180 milion euro. Lokacioni i ndërtimit është në Komunën e Gazi Babës tek zona e Panairit të kryeqytetit, ku përveç qendrës tregtare do të ndërtohet edhe Kompleksi banesor bashkë me parkingje dhe objekte tjera në një sipërfaqe prej 155 mijë m2.

Ndërtimi do të zgjatë nga 5 deri 7 vjet dhe “Skopje East Gate”, do të jetë investimi më i madh privat në Maqedoni për pasuri të patundshme në total me 250 mijë m2 ndërtesa, ku përfshihen 100,000 m2 objekte banimi dhe 2,500 vend parkime në sipërfaqe nëntokësore. Punimet e qendrës tregtare do fillojnë në vjeshtë të këtij viti dhe hapja pritet të bëhet në fund të vitit 2020, kurse të gatshme për përdorim ndërtesat e banimit do të jenë pas 5 vjetësh.

Përgatiti: Adnan Qaili