Ministria e punës dhe politikës sociale dhe organizata e kombeve të bashkuara UNICEF filluan kampanjën për të gjetur familje përkujdesëse për fëmijët që po rriten nëpër qendrat sociale. Kampanja “Çdo fëmijë ka nevojë për një familje” ka për qëllim largimin e të gjithë fëmijëve nga institucionet sociale dhe bartjen e tyre nëpër familje përkujdesëse.

Nga ana tjetër lista e pritjes për të adaptuar fëmijë mbetet e gjatë, ndërsa kjo sipas ministres për punë sociale, Milla Carovska është si pasojë e kërkesave specifike për fëmijë nga prindërit. Ajo inkurajon familjet që kërkojnë fëmijë për të adoptuar.

“Me të vërtetë i inkurajojë edhe adoptuesit, do të kemi takime edhe me ta. Nëse presin një kohë të gjatë dhe shohin që nuk arrijnë të marrin një fëmijë, atëherë le të marrin një fëmijë nën përkujdes. Nëse ai fëmijë rritet në atë familje ai pranon dashuri dhe do iu jep dashuri, kjo do të sjellë dy të mira në një familje”, tha Mila Carovska, Ministre për punë dhe politikë sociale.

Përfaqësuesi i organizatës së kombeve të bashkuara UNICEF në Maqedoni, Benxhamin Përks, tha se prindërit që marrin në përkujdesje fëmijë, përfitojnë përvojën e cila më pas do t’u ndihmonte atyre në procesin e adaptimit.

“Mendoj se është e rëndësishme të shtoj se rëndësia që shtohet nga të qenurit përkujdesës është një eksperiencë e rëndësishme që në të ardhmen këta prindër të mund të adaptojnë fëmijë”, tha Benxhamin Përks.

Përks gjithashtu tha se qëllimi i kampanjës është të rritet mbështetja për përkujdesje  dhe në vend që fëmijët të sistemohen në institucione të mëdha sociale, ata të jetojnë në ngrohtësinë familjare. Për momentin, nëpër qendrat sociale ka mbi 200 fëmijë që presin një familje përkujdesëse.

Përgatiti: Bajram Memeti

Artikulli paraprakThana, fruti i të pavdekshmëve
Artikulli tjetër2.000 PUNËSIME TË REJA NË “SKOPJE EAST GATE”, “BALFIN GROUP” DO TË INVESTOJË €300 MILION NË MAQEDONI (VIDEO)