Formati i Qeverisë, sipas ekspertëve, nuk paraqet rikonstruim, por kalkulim politik “numrash”. Për analistin politik, Alajdin Demiri zgjerimi i koalicionit qeveritar ishte e vetmja mënyrë për zgjerimin e shumicës së nevojshme parlamentare.

Termi “reformë” dhe termi “rikonstruim” nuk shkojnë me këtë, për arsye se nuk ishin këto as reforma e as rikonstruim i Qeverisë.

Këto ishin disa poteza jashta politike. LSDM-së dhe Zaevit në këtë fazë i duhen vota në Parlament dhe nuk kishte asnjë mundësi tjetër që t’i huazojë apo t’i blejë këto vota përveçse të ofrojë diçka në Qeveri për arsye se ai koncept kështu funksionon.

Në të vërtetë esenca e gjithë kësaj ishte largimi i Aleancës nga pushteti – pohoi analisti politik Alajdin Demiri.

Demiri madje vlerëson se Zaev do të vazhdojë t’i josh edhe partitë tjera të mbetura jashtë koalicionit qeveritar përveç VMRO DPMNE-së.

Analisti, Nikolla Dujovski vlerëson se ndryshimet në ekzekutiv u bënë për shkak të përkrahjes që nevojitet për zgjidhjen e çështjes së emrit.

Për Dujovskin as kjo nuk është qeveri me persona adekuatë dhe as që i dha fund praktikës së deritanishme që i njëjti individ të ndërrojë më shumë resorë.

Nuk pres ndryshim të veçantë në kursin e Qeverisë. Këto janë më shumë ndryshime kozmetike që të kënaqen nevojat partiake.

Këtë Qeveri e shoh në drejtim të formimit të shumicës parlamentare më të madhe dhe më stabile para vendimeve kryesore që e presin Republikën e Maqedonisë në muajtë e ardhshëm.

Nuk jam i sigurtë nëse Qeveria do të ketë mandat të gjatë, pasi sigurisht nëse përparojmë në integrimet evropiane, eventualisht me referendumin për ndryshim të Kushtetutës do të ketë edhe zgjedhje presidenciale. Atëherë do të jetë testi i vërtetë për këtë Qeveri – tha ne telefon Nikolla Dujovski.

Ekspertët vlerësojnë se vendi ka demokraci të brishtë. Me formatimin e Qeverisë, Arbër Ademit të BDI-së iu besua arsimi, ndërsa Renata Deskoskës së LSDM-së drejtësia.

Asaf Ademi nga Besa e Gashit është ministri i ri i Kulturës, kurse Bardhyl Dauti i PDSH-së, ministër pa resor. Votimi i ministrave dhe zv.ministrave të ri u bë mbrëmë para mesnate. PLD-ja, e cila është në koalicion me LSDM-në, nuk dhanë votat e tyre për ministrin e PDSH-së Bardhyl Dauti duke thënë se “PDSH –ja dhe Amdi Bajrami janë virus të cilin e fusin në organizimin e shëndetshëm ekzekutiv./am/