Çfarë kërkon Turqia në Ballkan, pse është Ankaraja kaq e përfshirë në vendet e rajonit dhe përse shikohet me sy kritik nga disa vende? Këtyre pyetjeve u përpoqen t’i japin përgjigje politikanë, akademikë, analistë të zhvillimeve rajonale dhe ndërkombëtare si dhe përfaqesues fetare nga 11 vende, si Shqipëria, Greqia, Hungaria, Kroacia, Serbia, Bosnja, Kosova etj, gjatë një samiti dy ditor të zhvilluar në Ankara nga Agjencia turke për Bashkëpunim dhe Koordinim në bashkëpunim me Institutin e Mendimit Strategjik SDE. Gjatë samitit, zëvendëskryeministri turk Hakan Çavusoglu theksoi rëndësinë e strukturës multikulturore të Ballkanit.

“Paqja botërore nuk është e mundur nëse struktura multikulturore, shumëgjuhësore dhe multireligjioze e Ballkanit nuk bëhet simbol i qetësisë, paqes dhe bashkëjetesës”, theksoi në fjalimin e tij Cavusoglu.

Ndërkohe sipas presidentit të TIKA-s Serdar Cam dallimet në rajon në fakt ishin një shembull i pasurisë që karakterizon Ballkanin. “Qytetarët e Ballkanit, të cilët kanë gjuhë, kulturë dhe fe të ndryshme, kanë treguar shumë mirë se si kanë jetuar së bashku dhe janë bërë model për të gjithë globin” deklaroi Cam.

Sipas mendimtarit turk Ibrahim Kalin, këshilltar i presidentit te Turqise, kombet e ndryshme të Ballkanit e kanë parë Turqinë dhe Perandorinë Osmane si pjesë të së njëjtës imagjinatë gjeopolitike. “Kjo mund të duket shumë romantike apo idealiste për disa, por realiteti është se turqit, shqiptarët, boshnjakët dhe të tjerët ndërtuan një kulturë dhe qytetërim që shkoi përtej vijave kufitare të rajonit.

“Askush nuk mund të studiojë dhe të kuptojë jetën kulturore, fetare, artistike dhe politike osmane pa pranuar kontributet kryesore të figurave letrare, shkencore dhe politike të prejardhjes ballkanike” deklaroi Kalin i cili gjithashtu u kujtoi te pranishmeve ne kete samit se ishte Sami Frasheri nga Shqiperia autori i fjalorit të parë të rëndësishëm osman.

Sipas Kalin, Turqia nuk sheh ndonjë kontradiktë mes zhvillimit të marrëdhënieve të mira me Serbinë nga njëra anë dhe Bosnje-Hercegovinës nga ana tjetër. Sipas tij përpjekjet e Turqisë për të ndikuar në njohjen e shtetit të Kosovës nga komuniteti ndërkombëtar ndihmojnë më shumë sesa pengojnë përpjekjet për paqe në rajon. Gjatë samitit të Ankarasë u analizuan zhvillimet e fundit në Ballkan, e ardhmja e rajonit, nevoja për vazhdimësinë e multikulturalizmit si dhe Identitetet Natyrore dhe Fiktive në Ballkan.(BalkanWeb)