Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, Albin Kurti, ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në Top Channel, ku ka shpjeguar përçarjen e forcës politike që drejton, fatin e qeverisë në Kosovë, por së tepërmi është përqendruar tek teza e bashkimit të dy shteteve në një të vetëm.

Kurti ka debatuar me analistin Mentor Nazarko, lidhur me lëvizjen Vetëvendosje dhe rolin e saj në bashkimin kombëtar.

Nazarko tha se “Lëvizja Vetëvendosje është ndërtuar mbi shumë kontradiksione të mëdha”.

“Vetëvendosja u krijua si lëvizje duke thënë se nuk do të merrte pjesë asnjëherë në zgjedhje dhe mori pjesë në të. Vetëvendosja tha se ishte kundër administrimit ndërkombëtar të Kosovës, ndërkohë që u përfshi”, tha ai.

Duke vijuar më tej, Nazarko deklaroi se “Vetëvendosja thotë se është për bashkim me Shqipërinë, por është e vështirë të gjesh partinë partnere në Shqipëri”.

“ Vetëvendosje thotë që është për bashkimin kombëtar, ndërkohë që vetëm tani, ka filluar të artikulojë bashkimin ekonomik, heqjen e barrierave. Vetëm vitet e fundit kemi parë artikulimin e heqjes së barrierave”, shtoi Nazarko.

Duke iu përgjigjur Albin Kurti tha se “ne nuk mendojmë se bëjmë bashkimin kombëtar, por bashkimi kombëtar na bën neve”. “Edhe nëse nuk kemi partnerë, parti në Shqipëri”, theksoi ai.

Bashkimi kombëtar mbetet në programin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe me rikthimin e Albin Kurtit në krye të këtij subjekti politik në Kosovë thirrja për bashkim është bërë edhe më e fortë.

Kreu i Vetëvendosjes e sheh bashkimin si një zgjidhje jo vetëm për problemet e sigurisë, por edhe për ato ekonomike e politike për shqiptarët në të dy shtetet e ndara.

Por si bëhet bashkimi kombëtar? Kurti thotë se lëvizja mbërrin nga qytetarët.

“Nuk e bëjmë ne bashkimin kombëtar, por bashkimi kombëtar na bën ne. Vokacioni ynë është për bashkim dhe besoj që edhe këtu janë të shumtë që e duan këtë. Të bëhet referendum dhe le të vendosin qytetarët”, deklaron ai në emisionin Të Paekspozuarit këtë të enjte në Top Channel.

Por, Kosovës i ndalohet në Kushtetutë bashkimi me një tjetër shtet. Kurti e kritikon këtë nen.

“Ne na kënë vënë pengesë nenin që na ndalon bashkimi, si Austria që nuk i lejohet të bashkohet me Gjermaninë. Por, nuk e kishte Shqipëria Hitlerin, e kishte Serbia Millosheviçin”, shton ai.

Mbledhjet e dy qeverive i sheh më shumë propagandë sesa punë reale në forcimin e bashkëpunimit mes shqiptarëve në dy anët e kufirit.

“Kanë qenë takime ceremoniale, që firmosin marrëveshje, por nuk vulosin mekanizma të përbashkët. Moria e marrëveshjeve nuk zbatohet. Mundësitë janë shumë më të mëdha, por mbledhjet bëhen më shumë për protagonizëm sesa ka vërtet interes dhe vullnet. Mos harrojmë që vendet e BE janë shumë më të bashkuara se ne në këtë aspekt”, thotë kreu i VV.

Kurti lëshon një paralajmërim.

“Shqipëria dhe Kosova duhet të koordinohen që në dekadën e ardhshme të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen në BE. Nëse Serbia hyn një ditë para Shqipërisë dhe Kosovës do të na bllokojë integrimin”, thotë ai.

Lëvizja e drejtuar prej tij akuzohet në Kosovë për flirtim me ekstremizmin islamik. Kurti e mohon.

“Nuk ka flirtim. Jemi subjekt politik që duam një shtet sekular. Por ne kundërshtojmë islamofobinë, që është e shprehur nga kundërshtarët që kërkojn të zëvendësojnë armikun kryesor që kemi Serbinë me islamin”, përgjigjet Albin Kurti.

Pranon se ekstremizmi mbetet një problem dhe thotë se VV propozoi që të futeshin në listën e organizatave terroriste të gjitha organizatat ekstremiste të identifikuara në Kosovë. Shpjegon edhe pse Vetëvendosje kundërshtoi ligjin që ndëshkon me burg të gjithë shtetasit e Kosovës që përfshihen në luftëra të huaja.

“E kundërshtuam sepse është një ligj universal, sepse me këtë ligj, nëse plas lufta në Luginën e Preshevës, shqiptarët e Kosovës ndëshkohen me burg për pjesëmarrje në të”, shpjegon ai.

Artikulli paraprakStudimi, një në 4 fëmijë ka provuar alkoolin dhe cigaren
Artikulli tjetërU vetëvar se u akuzua padrejtësisht, shefi i policisë: Shumë mirë që vrau veten!