Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca dhe deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj janë përplasur në seancën e sotme për disa çështje, përfshirë edhe rrëizmin e Qeverisë.

Molliqaj fillimisht ka akuzuar Vetëvendosjen së është bashkuar me PDK-në dhe LDK-në, për të kundërshtuar Shpend Ahmetin në Komunën e Prishtinës dhe ka thënë se nëse partia që drejton Albin Kurti është e gatshme për të nisë iniciativën për të rrëzuar Qeverinë Haradinaj, edhe ata do t’i japin votat.

Nga kjo ka pasur kundërpërgjigja e Konjufcës, siç nis: “E pashë Dardanin që u nxe fort dhe kam kënaqësinë që t’ia ja disa përgjigje. Vetëvendosje s’i ka dhënë fort për zgjedhje sepse i kupton qysh ndodhin”.

“Mos e merr me pompozitet, për filma edhe për zgjedhje. Ne jemi të gatshëm nuk e di a jeni të gatshëm edhe ju për zgjedhje”, ka thënë Konjufca, njofton Klan Kosova.

“Lista Serbe është krijesë e Beogradit dhe nuk dallon asgjë nga politika e Aleksandër Vuçiqit. Këtë mësim e ke marrë në Vetëvendosje, këtë doktrinë, këtë koncept se çfarë është Lista Serbe”.

“Për çështjen se kush është kush në koalicion me PDK-në. 30 minuta pasi ke thënë se ka një koalicion, këtu e keni shkel të drejtën e LVV për një nënkryetar bashkë më partitë në pushtet. I bëtë votat me ndihmën e mazhorancës që doli në krah tuajin. Kush më kënd është në koalicion?”.

“A duhet të rrëzohet Qeveria me Listën Serbe, a ta lëmë këtë Qeveri që të bëjë statutin e “Zajednicës”? Mendoj që nëse e lejoni këtë Qeveri ta bëjë statutin e “Zajednciës” dhe ndarjen e veriut, është më i mirë rrëzimi i saj me këtë çmim”, ka shtuar ai duke u ndërlidhur në çështjen e ngritur nga Molliqaj nëse Vetëvendosje do t’i merrte nënshkrimet e Listës Serbe.

Konjufca ka thënë se Shpend Ahmetin, Vetëvendosje tashmë e sheh dhe e monitoron sikur çdo kryetar komune të partive, si PDK dhe LDK.