Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu dënoi sot njoftimin e bërë nga Irani për një plan që parashikon të rrisë kapacitetet për pasurimin e uraniumit duke rikonfirmuar se Teherani po kërkon të pajiset me armë bërthamore për shkatërrimin e Izraelit.

“Ajatollahu Khamenei deklaroi dy ditë më parë qëllimin e tij për të shkatërruar shtetin e Izraelit. Ai shpjegoi dje se si do ta bënte këtë duke pasuruar uranium për të formuar një arsenal bërthamor”, theksoi Netanyahu në një video të postuar në rrjetet sociale.

”Ne nuk habitemi. Ne do ta pengojmë Iranin të pajiset me armë bërthamore”, shtoi ai.

Irani njoftoi se kishte njoftuar Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë bërthamore (AIEA) për një plan për rritjen e numrit të centrifugave, që shërbejnë për pasurimin e uraniumit.

Pasurimi i uraniumit mundëson prodhimin e lëndës djegëse për centralet bërthamore./atsh