Në pjesën e dytë të emisionit “Të PaEkspozuarit” në Top Channel është diskutuar për aksionin opozitar të udhëhequr nga PD dhe LSI kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama dhe mënyrës sesi do të arrihet qëllimi, që është largimi i qeverisë së lidhur me krimin dhe drogën.

Në një lidhje me Skype, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi tha se “Edi Rama do iki dhe do iki si diktator që ka përfaqësuar krimin e organizuar në Shqipëri”.

Moderatori Ylli Rakipi iu drejtua Kryemadhit duke thënë se kryeministri duket sikur “s’po e vë ujin në zjarr për ju”, duke dashur të nënkuptojë forcën e munguar të lëvizjeve të opozitës.

Por Kryemadhi u përgjigj duke thënë se veprimet e kryeministri Rama “janë veprime që tregojnë frikë”.

“Po të ishte i sigurt do qëndronte në sallë. Pas zgjedhjes së Kryeprokurores ai tregon se ka ngelur vetëm dhe është frikësuar. Mbrohet nga disa kore që vetëm lehin për të krijuar një zhurmë për ruajtjen e figurës së tij si lider që gjen zgjidhje. Gjithmonë  e më shumë atij po i krijohen probleme nga brenda Partisë Socialiste dhe ka frikë. Nga brenda s’ka kush e rrëzon atë se ai i çon kriminelin tek shtëpia”, tha Kryemadhi.

Më tej ajo shtoi se nëse “opozita është kaq e dobët, Rama le të qëndrojë në sallë, të mos ikë”.