LSDM-ja ka reaguar pas tubimit të mbrëmbshëm të VMRO-së duke vlerësuar se mesazhet e Mickoskit janë të njëjtat mesazhe me ato të shfaqura në 12 vitet e fundit të paraardhësit të tij, Nikolla Gruevskit.

LSDM-ja vlerëson se kreu i VMRO-së, Hristian Mickoski është duke ecur në të njëjtën rrugë të Nikolla Gruevskit.

“Qytetarët nuk panë ndonjë ndryshim. Fatkeqësisht, Mickoski përsëri ka refuzuar t’u kërkojë falje qytetarëve për atë që VMRO-DPMNE-ja ka bërë në Maqedoni për 11 vjet. Në vend që të kërkojë falje, Mickoski i bëri thirrje Maqedonisë që të ndalet. Por, kjo nuk do të ndodhë. Qytetarët zgjodhën përparim. Mickoski sonte i kërkoi Maqedonisë të kthehet prapa në të kaluarën e errët të krimit, korrupsionit, varfërimit të qytetarëve, shkeljes së dinjitetit njerëzor, duke e distancuar vendin nga vlerat evropiane. Dhe kjo nuk do të ndodhë”, pohojnë nga LSDM-ja.

Partia në pushtet gjithashtu ka hedhur poshtë kërkesën për mbajtjen e zgjedhje të parakohshme parlamentare. Sipas LSDM-së, ky është një blof klasik i Mickoskit, i cili po përballet me vlerësim të dobët dhe mungesën e mbështetjes së qytetarëve.