Presidenti amerikan Donald Trump dhe lideri koreano verior Kim Jong un kanë mbërritur në Singapor për takimin e tyre historik.

Trump fluturoi në bordin e Air Force One, disa orë pasi Kim Jong un kishte zbarkuar në tokë, bashkë me ndihmësit e tij dhe badigardët e tij vrapues.
Takimi i tyre, i pari mes një lideri nga Koreja e Veriut dhe një presidenti amerikan në detyrë, do të mbahet të martën, në ishullin “Resort Sentosa”.

Trump e cilësoi takimin si një shans i papërsëritshëm për paqe dhe tha se të dy liderët ishin në territor të panjohur. SHBA shpreson që samiti të iniciojë një proces në të cilin Kim jong un do të heqë dorë nga armët bërthamore.

Dy liderët kanë patur një marrëdhënie të jashtëzakonshme, gjatë 18 muajve të shkuara, me shkëmbime fyerjesh e kërcënime për luftë, para se të ndryshonin tonet dhe të ecej drejt takimit ballë për ballë.

SHBA do që Koreja e Veriut të heqë dorë nga armët e saj bërthamore në mënyrë të pakthyeshme dhe që do të mund të verifikohej ndërkombëtarisht. E vetëm kur këto hapa të hidhen, do të ketë heqje të sanksioneve.

Por, kjo nuk do të thotë që Shba pret të arrijë një marrëveshje përfundimtare në Singapor.

Vetë Trump e ka përshkruar takimin si një mundësi njohjeje dhe ka thënë se ky do të jetë një proces. Analistët thonë se Kim, duke fituar prestigjin e një takimi me liderin më të fuqishëm të botës, ka shënuar që tani fitore.

Ata po ashtu vënë në pikëpyetje mundësinë e heqjes dorë nga ana e tij nga armët bërthamore, pasi ka punuar aq shumë për t’i siguruar ato.