Marrëveshja për demarkacionin në mes Kosovë e të Malit të Zi ka hyrë në fuqi më 4 qershor, njofton Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi.

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Mal të Zi, Skender Durmishi, ia dorëzoi drejtoreshës për çështje ligjore ndërkombëtare, Tatjana Raspopoviq, notën verbale të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës me anë të së cilës “pala malazeze njoftohet se Kosova ka përfunduar procedurat e brendshme ligjore të nevojshme për hyrjen në fuqi të Marrëveshjes Kufitare Shtetërore midis dy vendeve, nënshkruar në Vjenë më 26 gusht 2015”, raporton RTCG.

Data e dorëzimit të shënimit të Kosovës është gjithashtu data e hyrjes në fuqi, pasi të dyja palët kanë përmbushur procedurat e brendshme ligjore të nevojshme për hyrjen në fuqi dhe njoftuan njëri tjetrin.

Marrëveshja për Demarkacionin në Kosovë u miratua në fund të muajit mars të këtij viti, pas tri vitesh zvarritje e mos pajtime në spektrin politik. Kurse Mali i Zi kishte ratifikuar marrëveshjen në fund të dhjetorit 2015.