Sekretari britanik i jashtëm, Boris Xhonson nuk e fsheh simpatinë dhe admirimin e tij për presidentin amerikan Donald Trump.

Madje thotë se po të ishte Trump në drejtim të negociatave për Brexit me Bashkimin Europian do të sillte shumë zhvillime pozitive.

Negociatat për daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga BE po hyjnë në një fazë finale “shumë më luftuese me Brukselin”, mundësia për një kolaps ekziston dhe për këtë qeverisë britanike i duhen atribute.

Në këtë mënyrë ministri i jashtëm dhe mbështetës i parë i Brexit, Boris Johnson, në deklarata pa frena të bëra në mënyrë private gjatë një takimi në Londër me aktivistë Konservatorë, por të regjistruar dhe të shpërndarë në media, godet kryeministren Tereza Mej dhe madje shkon edhe deri tek imagjinimi i një Donald Trumpi në timonin e Brexit.

Në bashkëbisedimin e tij, Johnson duket mjaft i qartë në kritikat e tij ndaj Kryeministres, që ndodhet në Kanada për G7-ën, pa e përmendur atë drejtpërdrejtë.

Brexit “është i pakthyeshëm, por rreziku është se në fund mund të mos jetë ajo që duam”, thotë ai. “Ne duhet të pranojmë faktin se tani mund të ketë një kolaps, por pa panik, në fund gjithçka do të shkojë mire”, pohon ministri.

Ai këmbëngul se “duhen atribute” për të kuptuar “avantazhet” që Brexit do të japë në fund. Sulmi ndaj sekretarit të Thesarit, Philip Hammond, ishte i drejtpërdrejtë. Ai akuzohet se punon akoma për të penguar Brexit.

Sa i përket Trump, Johnson tregon një admirim në rritje për presidentin amerikan, veçanërisht në çështjen koreanoveriore.

“Ka një metodë në çmendurinë e tij. Imagjinonin Trump në drejtim të Brexit. Do të kishte kaos.. por do të shkonin në një anë. Dhe do të ishte shumë mirë”, nënvizon Johnson.