Tre qershori i vitit 2005 ishte dita kur gazetarit të “Bota sot” Bardhyl Ajetit iu ndal penda. Derisa gazetari Bardhyl Ajeti, po shkonte rrugës për në Gjilan më saktësisht në fshatin Bresalc, u qëllua me armë zjarri ku mbeti i plagosur. I vetmi dëshmitar i kësaj ngjarje ishte një taksist i cili po e tërhiqte makinën e Ajetit pas një prishje që kishe pësuar, megjithatë ky dëshmitar M.G. nga fshati Përlepnicë e Gjilanit ishte ndjerë i kërcënuar dhe është larguar drejt Norvegjisë. Pas kontrollit në Spitalin e Gjilanit dhe në atë të Prishtinës, i ndjeri një javë më pas u dërgua në Milano të Italisë, ku edhe më 25 qershor ndërroi jetë.

Tani 13 vite pas atentatit, ende nuk u gjetën vrasësit dhe nuk është ndërmarrë asgjë nga institucionet e drejtësisë. Familjarët kërkuan drejtësi, por ajo heshti si për Bardhylin, ashtu edhe për shumë të tjerë të vrarë pas luftës.
Vitet kaluan në pritje me ankth, me lotë, e me mendje gjithmonë te zbardhja e rastit të Bardhylit.

Nëna e Bardhylit shpreson te Gjykata SpecialeE sot nëna e Bardhylit, Nexharije me sy të mekur nga lotët kërkon drejtësi për të birin e saj të vogël.

“Kam humbur shpresat për djalin tim. Qe 13 vite ma vranë djalin e askush nuk u gjetë. Ai shkroi vetëm për atë që mendonte se është e drejte, e donte Kosovën e lirë ku e vërteta duhet të thuhet e të shkruhet. Gjithmonë pres të hapet dera e të hyjë Bardhyli i qeshur, shtatlartë e guximtar ,ta përqafojë e t’i themë: Çfarë ke shkruar sot?”, rrëfehet nëna e Bardhylit për “Bota sot”.

Tutje, nëna e Bardhylit thotë se kanë humbur shpresat nga drejtësia e Kosovës.

“Nuk i besojmë më drejtësisë vendore, nuk bëri asgjë për Bardhylin, tashmë shpresat dhe besimin e kam te Gjykata Speciale. Ajo po ma ngjallë një fije shprese, përndryshe do t’i mbylli sytë pa e ditur kush ma vrau Bardhylin. Po shtyj ditët e shpirtin e zemrën e kam te ai”, shton nëna e gazetarit Bardhyl Ajeti.

Ajeti: Ata e dinin se sa të ishte Bardhyli gjallë ata kurrë nuk do të fitonin

E vëllai i gazetarit të ndjerë, Bardhyl Ajetit, Fitim Ajeti thotë për “Bota sot”, se vëllain e tij ia kanë vrarë ata që iu ka penguar e vërteta, këtë të vërtetë që e shfaqte Bardhyli përmes shkrimeve të tij.

“Qershori i 2005 ishte dita kur vëllait tim iu ndal penda. Ja ndalën ata që ju pengonte e vërteta dhe donin te hidhnin hi syve. Hienat ia kishin vënë syrin Bardhylit, nuk e donin atë dhe shkrime e tij, ua rrezikonin fitoren që s`po e arrinin kurrë. U mblodhën hienat kokë me kokë dhe bënin plane si ta vrisnin të vërteten, si t’ia merrnin jetën Bardhylit, e ta fitonin pushtetin. Por, nuk ia arritën, sepse Bardhylit nuk i ndali shkrimet për të vërteten sepse vetëm ai ua largonte maskat hienave të cilët edhe sot qeshin paturpësisht për ligësitë që i kane bëre. Ata e dinin se sa të ishte Bardhyli gjallë ata kurrë nuk do të fitonin”, thotë Ajeti.

I pyetur se a mendon se Gjykata Speciale do të gjejë vrasësit e Bardhylit, vëllai Fitimi shprehet se beson në këtë, siç thotë ai, shpresë tjetër nuk ka sepse nga drejtësia vendore moti janë dorëhequr.

Më tutje, ai vazhdon të thotë se vrasjet politike në Kosovë kanë shuar jetën e personaliteteve të shquara intelektuale, atdhetare dhe që institucionet e Kosovës nuk u kanë dhënë sa duhet trajtim meritor.

“Krejt në fund urojmë që në këtë përvjetorë më në fund të gjenden vrasësit e Bardhylit, të dënohen nga drejtësi ata që ia provuan jetën vetëm se e tha të vërtetën dhe vetëm të vërtetën”, përfundon vëllai i Bardhylit, Fitim Ajeti.

AGK: Nuk do të ndalemi së kërkuari të drejtën për të ndriçuar rastin e Bardhyl Ajetit

Nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës për “Bota sot”, thonë se mos zbardhja e vrasjes së Ajetit mbetet një njollë e keqe e historisë së gazetarisë shqiptare dhe se vrasësit duhet të marrin dënimin e merituar.

“Mos zbardhja e vrasjes se gazetarit Bardhyl Ajeti vazhdon të mbetet një njollë e keqe për historinë më të re të Kosovës. Vrasja e tij, por edhe 13 gazetarëve të tjerë të vrarë, e të zhdukur në Kosovë gjatë luftës dhe pas luftës duhet që të kenë një përfundim dhe vrasësit të marrin dënimin e merituar. Kalimi i një periudhe të gjatë dhe mos zbardhja e këtyre rasteve e bënë shumë të vështirë për familjet e tyre, por besoj edhe për komunitetin e gazetareve”, thuhet në përgjigjen e AGK-së për “Bota sot”.

Për më shumë, thuhet se UNMIK-u dhe EULEX-i nuk kanë arritur të zbardhin vrasjen e Ajetit, por që AGK-ja nuk do të ndalet për të kërkuar ndriçimin e vrajës së Bardhylit dhe të gazetarëve të tjerë të vrarë.

“Për fat te keq as UNMIK-u, por as edhe EULEX-i nuk kanë arritur të kryejnë punën e tyre në zbardhjen e vrasjes se Ajetit të ndodhur në vitin 2005. Hetimet ne lidhje me vrasjen e Ajetit kanë përfunduar me 11 dhjetor 2006 kur UNMIK-i kishte mbyllur këtë rast. Por, për AGK-në ky nuk është fundi. Ne si organizatë që mbrojmë të drejtat e gazetareve dhe luftojmë për një gazetari profesionale, nuk do të ndalemi së kërkuari të drejtën për të ndriçuar rastin e Bardhyl Ajetit dhe kolegeve të tjerë”, thuhet nga AGK-ja.

AGK-ja thotë se Kryeprokurori i Shtetit, Aleksander Lumezi i ka premtuar se nëse ofrohen dëshmi të reja do të ngritin aktakuza, gjersa shton se kjo organizatë do të kërkojë nga institucionet që të kenë prioritet kërkimin për të vërtetën e vrasjeve dhe dënimin e autoreve të krimit.

“Për më shumë, në një takim të vitit të kaluar, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksander Lumezi ka theksuar se për prokurorinë e shtetit këto raste nuk janë të mbyllura. Por, që mbetet sfidë e madhe që të ofrohen dëshmi për këtë rast dhe raste tjera, por nëse dalin dëshmi të reja, prokuroria vendore do të ngrisë aktakuza menjëherë. AGK do të kërkojë vazhdimisht, tani, nga institucionet tona që të jenë më efikase dhe të kenë prioritet kërkimin për të vërtetën e vrasjeve dhe dënimin e autoreve të krimit”, thonë nga AGK-ja për “Bota sot”.

Ndërsa, deputeti dhe anëtari i Komisionit për Media, Imet Rrahmani thotë për “Bota sot”, se vrasja e Bardhylit kërkon zbardhje dhe se vraja e tij nuk i amniston institucionet e Kosovës sa po kalojnë vitet.

“Vrasja e Bardhyl Ajetit është krim i cili edhe më tutje kërkon zbardhje. Fatkeqësisht kjo vrasje nuk është e vetmja e cila po ngarkon ndërgjegjen e çdo njërit që e do vendin dhe që e do prosperitetin. Moszbardhja e vrasjes makabër të Bardhylit nuk i amniston institucionet e Kosovës sa po kalojnë vitet”, deklaron Rrahmani për “Bota sot”.

Kalimi i kohës, sipas Rrahmanit, nuk e zvogëlon nevojën për angazhim, për zbardhjen e vrasjeve dhe nxjerrjen para drejtësisë të kriminelëve.

“Moszbardhja e vrasjeve politike nuk e zvogëlon nevojën e institucioneve të drejtësisë me kalimin e viteve. Gjithashtu, as partive politike përfshirë edhe LDK-në nuk iu zvogëlon kalimi i kohës nevojën për angazhim për zbardhjen e vrasjeve dhe nxjerrjen para drejtësisë të kriminelëve që sipas të gjitha gjasave jetojnë të lirë në mesin tonë”, potencon ai për “Bota sot”.

Për më tepër, ai thekson se Bardhyli ishte bashkëqytetar i tij dhe se ishte i guximshëm e kjo e ka penguar dikë.

“Bardhylin si bashëqytetar e njoh nga shkrimet e tij që ishin konkrete, ndryshe nga shumë të tjerë ishte i guximshëm në përmasa që siç duket dikën e pengoi shumë”, është shprehur Rrahmani për “Bota sot”.

Ndërsa, njohësi i zhvillimeve në vend, Haki Abazi ka thotë për “Bota sot”, se vrasja e Bardhylit tregon më së miri se frikësimi i gazetarëve do të vazhdojë nëse shkruan të vërtetën, do të vritesh dhe fajtorët nuk do të gjenden.

“Rasti i vrasjes dhe mos zbardhjes se Bardhyl Ajetit tregon më së miri që frikësimi i gazetarëve të vërtetë duhet të vazhdojë duke thënë, që nëse shkruan të vërteten dhe ke guximin mund të vritesh dhe fajtoret nuk gjenden kurrë”, deklaron ai për “Bota sot”.

Abazi këtë gjë e sheh në dy dimensione dhe se pas vrasjes së Bardhylit, Xhemajl Mustafës, Enver Malokut janë paraqitur “quazigazetarë” të cilët po i ndihmojnë klasës së kriminlazuar politike të qëndrojë në pozitë dhe të kontrollojnë drejtësinë.

“Kjo ka dy dimensione një është kërcënimi për gazetarët dhe dy krijon hapësirën për pseudo gazetarë që përdorin median dhe fuqinë e saj të bëhen të pasur. Pas vrasjes se Bardhylit, Xhemajl Mustafës, Enver Malokut në gazetarinë kosovare e janë paraqitur quazigazetarë që po i ndihmojnë klasës se kriminlazuar politike të qëndroj në pozitë dhe ta mbajë drejtësinë nën kontrollin e tyre”, thotë Abazi.

Në fund, Abazi shton se vrasja e Bardhylit nuk ka qenë e paplanifikuar dhe e rastësishme.

“Vrasja e Bardhylit nuk ka qenë e paplanifikuar dhe e rastësishme. Kapja e shteti është bërë pikërisht si rezultat i heshtjes se gazetarëve dhe blerjes e një numri të madh të mediave që janë përfitues të mëdhenjve me qeveritë”, ka përfunduar Abazi për “Bota sot”.

Ndërkaq, Zëdhënësja për media në Eulex, Donika Berisha Rizaj ka thënë për “Bota sot” se përkundër që është mbyllur rasti në vitin 2006 nga UNMIK-u ky rast mund të rihapet nëse zbulohen prova të reja.

“Rasti i vrasjes se gazetarit Bardhyl Ajeti është mbyllur nga UNMIK-u më 11 dhjetor të vitit 2006, për shkak të mungesës së provave. Rasti mund të rihapet nëse zbulohen prova të reja”, ka thënë Berisha Rizaj.