Nga Edison Balla

Debati mbi arsimin, duhet të jetë gjithmonë një debat i mirëpritur dhe një derë e hapur sa herë bëhet fjalë për të kontribuar në drejtim të përmirësimit të tij. Fatkeqësisht, një debat i tillë konstruktiv refuzohet, ose për shumë arsye nuk bëhet në arenat publike në këtë vend.

Nëse ka një debat që duhet të ‘’vlojë’’ fort në këtë vend, është pikërisht debati mbi arsimin. Këtë e them, pasi nuk ka asnjë vend në botë që ka përparuar dhe ka ecur përpara duke e parë me indiferentizëm arsimin.

Në këto vite demokraci, arsimi nuk ka qenë prioritet i asnjë qeverie në këtë vend. Mjafton të shohim sesa para ka dhënë dhe jep ky shtet për arsimimin e të rinjve të tij. Vetëm 3% të GDP (Produkti i Përgjithshëm Bruto). Me pak fjalë në gjithë këto vite nuk kemi investuar pothuajse asgjë tek arsimi, e për pasojë tek të rinjtë tanë. Kemi investuar në godina insitucionesh, në koncensione për mirëmbajtje rrugësh, në tendera për makina të reja për drejtuesit tanë, por kemi lënë në mëshirë të fatit arsimin dhe të rinjtë. Këta të fundit, vetëm sa i kemi përdorur për kryefjalë propagandash në cdo fushatë elektorale.

Një nga shqetësimet më të mëdha që na ka shoqëruar në gjithë këto vite, nuk është vetëm fakti sesa pak vëmendje i kemi kushtuar arsimit, por edhe se cfarë produkti kemi nxjerrë në fund të fundit. Padyshim që përgjegjësia fillon nga shteti pasi varet cfarë politikash harton ai për arsimin, por në asnjë moment nuk mund të lëmë mënjanë edhe përgjegjësinë e insitucioneve tona arsimore. Në këtë kontekst ajo cfarë kemi parë, lidhet me paaftësinë e këtyre insitucioneve për të nxjerrë realisht profesionistë në tregun e punës. Fatkeqësisht mbetemi akoma në metoda mësimëdhënëse tërësisht komuniste, duke shpërfillur kshu rolin e studentit si faktori më i madh dhe kryesori në sistemin arsimor, dhe duke e kthyer kshu procesin mësimor në një marrëdhënie të ftohtë pedagog-student.

Edukimi i një brezi nuk lidhet vetëm me dhënien e aksesit për t’u arsimuar, por mbi të gjitha me mënyrat dhe metodat që ti si insitucion përdor për ta edukuar këtë brez. Masivizimi si politikë arsimore, është një gjë e dështuar. Padyshim e dështuar, sepse nuk ja kemi dalë që t’i vëmë në të njëjtët binarë sasinë dhe cilësinë. Pra masivizuam arsimin duke i dhënë mundësinë cdokujt për t’u arsimuar, që në fund të fundit nuk është gjë e keqe, por si për dreq dështuam që të sigurojmë cilësi.

Pra, nxorëm me mijëra studentë me diplomë dhe shumë pak profesionistë, të aftë për të konkuruar në një treg të globalizuar dhe gjithëpërfshirës. Ja pra, pikërisht këtu dështuam, sepse menduam se duke u dhënë mundësinë të gjithëvë për të ndjekur një shkollë të lartë do siguronim akses në arsim. Por jo, në fakt siguruam degradim dhe dështim të sistemit të lartë arsimor.

Arsyeja pse unë insistoj kaq shumë që insitucionet arsimore të bëjnë një kthesë të madhe me mënyrën sesi e kryejnë procesin e të nxënit brenda tyre, lidhet me faktin se sot tregu kërkon njerëz që dinë të përshtaten me terrenin, që mund të bëjnë shumë gjëra njëkohësisht, dhe jo disa njerëz me diplomë që dinë të recitojnë përmendësh atë që kanë mësuar në shkollë. Universitetet sot duhet të luftojnë me cilësi dhe jo me numra. Emri ndërtohet kur nxjerr student të aftë, të gatshëm t’u bëjnë ballë sfidave.

Mënyra sesi mund të bëhet ky progres është një gjë që varet ekskluzivisht nga vetë universitetet dhe politikat e tyre drejtuese. Por ama nxitja e studentëve për ti kthyte ata në agjentë ndryshimi, është e vetmja mënyrë që mund ti bëjë konkurues vetë universitetet brenda tyre. Vetëm duke gjetur metoda dhe mënyra për të integruar studentët brenda universitetit dhe jashtë tij, universitetet do të nxjerrin produkte të afta për në tregun e punës.