Për sot janë paralajmëruar protesta në 13 qytete të pjesës veriore të Greqisë kundër përdorimit të terminin “Maqedoni”, për emrin e ri të vendit tonë. Organizatorët u bëjnë thirrje të gjithë grekëve në këto qytete të dalin në masë me flamuj grek dhe me sllogane në mbrojtje të indetnitetit të tyre.

Protestat janë organizuar në qytetet Pella, Kavala, Drama, Sers, Kukush, Polikastër, Voden, Lerin, Kostur, Ptolemaidë, Katerinë, Lagadas dhe Nea Mudanja në Halkidiki. Mediat greke raportojnë po ashtu, se protesta do të mbahen dhe në tetë qytete tjera greke, të pavarura nga organizimi i protestës në 13 qytetet e lartpërmendura.

Ndërkohë Ministria e Jashtme e Maqedonisë ka lëshuar një paralajmërim për qytetarët që kanë planifikuar sot për të udhëtuar në Greqi. MPJ-a u bën thirrje qytetarëve që të shmangin hapësirat ku do të mbahen protestat për “karakterin grek të Maqedonisë”. Sipas MPJ-së, protestat që planifikohet të mbahen në 14 qytetet e mëdha në pjesën veriore të Greqisë mund të eskalojnë në veprime të dhunshme ndaj qytetarëve të Maqedonisë./am/