Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka nënshkruar një projekt-ligj që do të lejojë Rusinë të kundërpërgjigjet ndaj sanksioneve të mundshme të SHBA-ve dhe vendeve të tjera ndaj shtetit të tij, raporton AA.

Sipas ligjit të nënshkruar nga Putin, qeveria do të jetë në gjendje të marrë masa kundër sanksioneve të SHBA-ve dhe vendeve të tjera kundër Rusisë.

Përmes ligjit do të mund të kufizohen ose pezullohen bashkëpunimet ndërkombëtare në fusha të caktuara, si dhe të ndalohen importet ose eksportet e mallrave dhe lëndëve të para, privatizimi dhe pjesëmarrja në tenderet qeveritare.

Departamenti amerikan i Thesarit përmes një vendimi më 6 prill vendosi në listën e sanksioneve shtatë oligarkë rusë, 12 kompani të tyre, 17 zyrtarë të lartë shtetërorë rusë, një kompani armësh të shtetit rus dhe një bankë të lidhur me të.

Projekt-ligji për kundërsanksione i paraqitur në Duma të parlamentit rus në muajin maj pas vendimit amerikan për sanksione ndaj Rusisë, fillimisht përmbante 16 pika për masa parandaluese, megjithatë, në leximin e dytë, masat u zvogëluan në gjashtë me ndryshime të bëra për shkak të mundësisë së dëmtimit të kompanive ruse.