Qeverisë nga dje iu shtua edhe një koordinator nacional për zhvillimin e kulturës. Ish ministri i Kulturës, Robet Allagjozovski për të mos mbetur larg kulaçit qeveritar u pagëzua me pozitën e koordinatorit nacional. Me këtë, numri i koordinatorëve arrin në 5. Paraprakisht, Qeveria kishte emëruar 4 koordinatorë edhe atë: Vlladimir Pivovarov, koordinator nacional për menaxhim me kufijtë, Stevo Pendarovski koordinator nacional për përgatitjen e Maqedonisë për në NATO, Pavle Trajanov koordinator për përgatitjen e Maqedonisë për menaxhim me kriza dhe rreziqe, Borçe Petrevski, koordinator për menaxhimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit. 2 nga 4 koordinatorët kanë edhe zëvendës të tyre. Sipas, Qeverisë pozita e koordinatorit nacional është e paraparë me ligj dhe nuk bëhet fjalë për funksion i cili plotëson nevoja partiake.

Edhe pse Qeveria Zaev bazuar në premtimet kur ishte në opozitë pritej të ishte organi ekzekutiv me më së paku funksionar, aktualisht ajo numëron 5 zëvendëskryeministra, 15 ministri me resorë, 7 ministri pa resor, afro 40 punonjës për marrëdhënie me publikun dhe 55 këshilltar në kabinetin e kryeministrit. Për dallim nga përbërja e kaluar qeveritare këtë mandat organi ekzekutiv ministrat pa resor i ka i ka ndarë në disa pozicione; një për transparencë dhe tri për investime të huaja, një për diasporën dhe tjetrën për strategjinë e romëve.

Me emërimet e lartpërmendura, në veçanti me koordinatorët Qeveria ka dyfishuar kompetencat në resor të caktuar. Koordinator për kulturë emërohet edhe pse ka dikaster të kulturës apo koordinator për NATO në kohën kur për çështje integrimi ka madje tre resor, ministria e jashtme, ministria e mbrojtjes dhe zv.kryeministri për çështje evropiane. Ngjashëm është edhe me dy koordinatorët tjetër për çështje sigurimi të kufijve apo me menaxhim me ekstremizmin dhe radikalizmin në kohën kur sektor të tillë ka edhe në kuadër të Ministrisë së Brendshme.

LSDM-ja si opozitë kishte paralajmëruar disa herë shkurtimin dhe reduktimin e resorëve, madje duke e inkuadruar edhe në programet zgjedhore dhe strategjitë qeveritare. Madje funksionar të LSDM-së pretendonin se me shkurtimin e resorëve do të mundësohet financimi i projekteve shtesë për qytetarët./am/