Ministrja e re e drejtësisë funksionin e saj e filloi duke gjetur një varg parregullsish në dikasterin të cilin e drejton tani. Revizioni shtetëror publikoi raport për punën e këtij resori në kohën kur me drejtësinë e vendit udhëhiqnin kuadro të BDI-së. Shpenzime të parregullta për reprezentim, mbushje të karburantit për automjetin e njëjtë zyrtar disa herë në ditë. Revizioni ka zbuluar se në dikasterin e drejtësisë ka pasur automobil që nuk është regjistruar ndërsa është shfrytëzuar për nevojat e kësaj ministrie. Sipas revizionit, në vitin 2013-të janë punësuar tre nëpunës, për të cilët nuk ka dëshmi se kanë ardhur në punë.

Enti shtetëror i revizionit

“Si pagë bruto janë paguar mjete në vlerë prej 892 mijë denarë ndërsa për të njëjtat nuk ekzistojnë të dhëna se kanë qenë prezent në vendin e punës dhe për ta nuk është realizuar vlerësim gjashtëmujor apo vjetor”.

Në vitin 2016-të për shërbime hotelierike janë paguar mbi 67 mijë euro. 30 mijë euro janë shpenzuar në bufenë e Ministrisë së drejtësisë ndërsa 37 mijë euro të tjera nëpër kafene dhe restorante. Revizioni nuk ka mundur të zbulojë sa prej të punësuarve kanë shpenzuar mjete për dreka në kurriz të qytetarëve.

Enti shtetëror i revizionit

“Janë paguar mjete për reprezentim në vlerë të përgjithshme prej 1 milionë e 300 mijë denarë që përdoren nga personat e punësuar pa autorizim përkatës nga ministri”.

Revizioni gjithashtu ka përfshirë edhe fasadën e godinës me stil baroku. Në marrëveshjen bazë prej 2,9 milionë euro janë firmosur pesë anekse në vlerë prej 522 mijë euro. Edhe pse kompania është dashur ta bëj fasadën për disa muaj, pamja finale është përmbyllur vetëm pas tre viteve punë.

Enti shtetëror i revizionit

“Nga dokumentet e dorëzuara kemi konfirmuar se kompania e cila e ka fituar marrëveshjen, në ofertën e saj ka dhënë afat prej 10 muajsh për përfundimin e punëve, për çka ka fituar numër maksimal të pikëve gjatë vlerësimit të ofertave, por marrëveshjen e ka realizuar në muajin tetor të vitit 2016-të”.

Revizioni i financave në Ministrinë e drejtësisë përfshinë periudhën kur me këtë dikaster udhëhiqnin Adnan Jashari dhe Valdet Xhaferi nga BDI./am/