Regjistrimi i paralajmëruar i Popullsisë i cili planifikohet të realizohet gjatë vitit 2020, nuk duhet të përmbajë pyetje se cilës përkatësi etnike apo fetare i takojnë qytetarët. Kështu ka paralajmëruar Drejtori i Entit Shtetëror për Statistikë, Apostol Simovski, gjatë një interviste dhënë 1TV-së. Çështjet etnike, siç ka thënë Simovski, ishin arsyeja pse Regjistrimi i fundit që duhej të realizohej në vitin 2011 dështoi.

“Vlerësoj se në Regjistrimin e popullsisë nuk duhet të përfshihet përkatësia etnike dhe fetare, të cilat nuk kërkohen as edhe sipas standardeve të Kombeve të Bashkuara. Regjistrimi i popullsisë u kthye në një fushë-betejë të interesit të madh për politikën në vend. Regjistrimi i vitit 2011 dështoi pikërisht si rezultat i vënies gisht nga politika, kurse elementi i vetëm për të cilën është e interesuar politika është pikërisht përkatësia etnike. Kjo e dhënë nuk ka asnjë vlerë përveç asaj politike”, është shprehur Simovski.

Sipas drejtorit ë Entit Shtetëror për Statistikë, që të hiqet politika nga vënia gisht në regjistrimin e popullsisë është që të hiqen pyetjet se cilës etni apo religjion i takojnë qytetarët, pasi që çështja nuk ka të bëjë me përkatësinë etnike por me gjuhën që flasin qytetarët.

Simovski gjithashtu thotë se 18 vitet e kaluara pa realizim të një regjistrimi të mirëfilltë të popullsisë e kanë lënë Maqedoninë pa mundësi për të marrë vendime të rëndësishme politike me qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës dhe shmangies së gabimeve si rezultat i të dhënave të vjetra. (koha.mk)