Sllovenia është anëtare e BE dhe NATO-s, ka si monedhë euron, dhe në vitet e fundit të krizës së migrimit në Ballkan i mbajti lart vlerat europiane. Por tani drejtimi i erës duket se po ndryshon. Një problem i ri për BE?

Nga Deutsche Welle

1,7 milionë votues sllovenë votojnë të dielën (3.06) për parlamentin e ri slloven. Sipas të gjitha sondazheve, partia opozitare konservatore, SDS del fituese. Në një analizë të agjencisë gjermane të lajmeve, dpa për zgjedhjet në Slloveni, theksohet debati në Slloveni për rrezikun e„orbanizimit” të vendit.

Kreu i qeverisë hungareze, Viktor Orban ka marrë pjesë në fushatën zgjedhore të demokratëve konservatorë sllovene, SDS. Ai ka qenë i ftuar nga partia sllovene, si idol i kreut të partisë SDS, Janez Jansa. Politikanët e qendrës dhe të majtë nuk lodhen me paralajmërimet për një „orbanizim” të Slloveinsë.

Orban me konceptin e tij të „demokracisë iliberale” do t‘u mësojë sllovenëve mbrojtjen pa kompromis nga refugjatët, luftën kundër shoqërisë civile dhe pengimin e punës së organizatave jo-qeveritare, thekson dpa.

Kështu një kryetar i mundshëm i një qeverie konservatore, Janez Jansa do ta afronte Slloveninë me vendet e Vishegradit. Që tani shtetet e bashkuara aty, Polonia, Çekia, Sllovakia, Hungaria i shkaktojnë dhimbje koke Brukselit. E tronditur partia Desus pjesëmarrëse në qeveri paralajmëron sllovenët nga një „model hungarez”.

Fitues pa partnerë?

Programi për politikën e brendshme i partisë konservatore, SDS duket se pritet mirë nga shumë votues sllovenë: ulje tatimesh, reduktim i burokracisë shtetërore, ndalim i mbulimit të fytyrës.

Por Jansa (që ka qeverisur në vitet 2004-2008 dhe 2012-2013) duket se ka për të pasur vështirësi në gjetjen e një partneri për krijimin e koalicionit qeverisës. Sepse shumica e partive, sipas gazetës më të rëndësishme slloveme „Delo” kanë tradicionalisht një „refleks anti Jansa”.

59 vjeçari është një figurë e kontestuar që nga fillimet e pavarësisë së Sllovenisë dhe ka luajtur një rol në disa afera korrupsioni si në blerjen e disa armatimeve ushtarake apo shitjen e truallit.

Gazeta sllovene „Dnevnik” shikon politikanin e ri, Marjan Sarec si “kurorëzues”, pra që mund të ketë një rol të rëndësishëm në krijimin e koalicionit të ardhshëm.

Ekspertët janë të mendimit, se 40 vjeçari, ish-komedian dhe kryetar bashkie më qëndrim të majtë e të qendrës mund të kapë vendin e dytë me 16% të votave. Në vendin e tretë sondazhet nxjerrin socialdemokratët me 14% dhe në vend të katërt partinë e kryetarit aktual të qeverisë, Miro Cerar, SMC. Krijimi i qeverisë sllovene këtë herë duhet se nuk ka për të qenë i lehtë.