Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti amerikan, Donald Trump do të takohet me liderin koreano-verior, Kim Jong Un, në Singapor në ora 9:00 me orën lokale.

Sipas këtij njoftimi, përgatitjet për samitin historik të 12 qershorit po ecin mirë, dhe presidenti Trump po informohet çdo ditë për samitin.

U përsërit qëndrimi se SHBA-të nuk do të ngrenjë sanksionet ndaj Koresë së Veriut nëse kjo e fundit nuk kryen procesin e denuklearizimit.

Megjithatë, ka akoma detaje që nuk dihen për këtë takim historik. Vendi ku Trump dhe Kim Jong Un do të takohen nuk është zbuluar ende.

Temat e bisedës mes të dyve janë bërë deri diku të ditura. Mediat parashikojnë se në krye të axhendës të jenë diskutimet mbi çarmatimin bërthamor, edhe pse ka analistë që spekulojnë se një përfundim zyrtar i luftës mes dy Koreve të jetë në program.