“Maqedonia Veriore”, “Maqedonia e Epërme” dhe “Maqedonia e Re” janë tre propozimet që ende janë në lojë thotë shefi i diplomacisë greke, Nikos Koxijas. Sipas tij, propozimin “Maqedonia e Vardarit” e ka refuzuar pala maqedonase për shkak se rikujton në periudhën kur vendi ka qenë nën okupim, ndërsa propozimi “Republika e Maqedonisë – Shkup” ka qenë i papranueshëm për Greqinë për shkak se nuk ka asnjë fjalë shtesë mes fjalëve Republika dhe Maqedonia. Në një intervistë për ERT, Koxijas tha se tani është momenti që të thuhet një “po” ose “jo” e madhe, kur bëhet fjalë për çështjen e emrit.

“Më duket se udhëheqësia e fqiut tonë në veri, d.m.th., udhëheqësia në Shkup, tani, kur duhet ta mbarojmë këtë gjë, i kuptoi vështirësitë e mëdha për implementimin e marrëveshjes dhe ajo shkaktoi që ata të dëshirojnë përsëri ta shqyrtojnë marrëveshjen, të bisedojnë për disa shpjegime në lidhje me marrëveshjen, por jam i bindur dhe shpresoj se kjo gjë do të tejkalohet brenda disa ditëve”, tha Nikos Koxias, Ministër i Punëve të Jashtme të Greqisë.

Por, sipas Artan Grubit, përveç këtyre tre propozimeve aktuale, në momentet e fundit të negociatave mund të hyjnë në lojë edhe propozime të reja kreative të cilat do të ishin të pranueshme për të dyja palët, për shembull “Maqedonia e Krushevës”, “Maqedonia Bashkëkohore” ose “ Maqedonia Evropiane”.

“Unë do t’ju them sinqerisht se jam i kënaqur nga mënyra se si negociuesit arritën marrëveshje të denjë e cila në këto kushte do të jetë e pranueshme për të gjithë qytetarët tanë”, tha Artan Grubi, deputet i BDI-së.

Është çështje ditësh kur Zaev dhe Cipras do të bisedojnë nëpërmjet telefonit dhe do tu kumtojnë qytetarëve se kanë arritur marrëveshje. Nga ana tjetër është edhe parashikimi i kryeministrit të Maqedonisë, i cili thotë se negociatat janë në fund, por nuk dëshiron të komentojë informacionet që po qarkullojnë nëpër media, për shkak se vlerëson se mund të dëmtohet procesi.

“Jemi kah fundi dhe do të jem i kujdesshëm që fundi të jetë i suksesshëm, i lumtur. Nuk do të komentoja detaje për shkak se ende po krijohen kushte që të ndodhë biseda telefonike. Unë besoj se kjo bisedë telefonike do të ndodhë këto ditë dhe menjëherë pas kësaj do t’i informoj qytetarët e vendit tonë për  përmbajtjen e bisedës”, tha Zoran Zaev, kryeministër i RM-së.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, tha se procesi i negociatave po udhëhiqet në mënyrë të gabuar, me njerëz  dhe metodologji të gabuar. Qëndrimi i tij është se në qoftë se Maqedonia udhëhiqet sipas kërkesave kyçe të fqiut tonë, atëherë ajo është e gatshme të dështojë dhe në qoftë se vendi ynë e pranon pozitën e kuqe, si pozitë përfundimtare, atëherë  sipas tij, nuk ka nevojë të negociohet.

Përgatiti: Antonio Krstevski