Krerët e vendeve të pasura të G7-ës duke filluar nga sot mbërrijnë në Kanada për samitin vjetor jashtëzakonisht të tensionuar, për shkak të taksave doganore të vendosura kohët e fundit ndaj aleatëve të tij nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Pas muajsh takimesh dypalëshe të pafrytshme, presidenti amerikan do të përballet të premten dhe të shtunën në La Malbe, në Kebek, drejtpërdrejt me krerët e Kanadasë, tre vendeve europiane, Francë, Gjermani dhe Britani e Madhe si dhe me atë të Japonisë, vende mike që mendojnë se politika “Amerika e para” mund të ketë kosto për rritjen ekonomike botërore.

Nëpër kryeqytete, ky samit është përgatitur si një ndeshje e gjashtë kundër një.

Pas tërheqjes së njëanshme të Uashingtonit nga marrëveshja mbi bërthamoren iraniane, përshkallëzimi i tarifave shihet si negocimi i vetë arsyes përse ekziston G7-a, garantuese e rendit ndërkombëtar.

“Për ne, taksat janë të jashtligjshme, që e komplikon përpunimin e një teksti të përbashkët”, shrehej këtë javë një përgjegjës i lartë europian, ndërsa kancelarja gjermane, Angela Merkel flet për “mosmarrëveshje”.

Bashkë me Emmanuel Macron, që ka vajtur në Kanada që të mërkurën, mikpritësi i samitit Justin Trudeau nuk ka ndryshuar asgjë në fjalorin e tij, duke mbrojtur në një deklaratë të përbashkët një multilateralizëm të fortë, të përgjegjshëm, transparent, një formulë që Uashingtoni nuk duket se e pëlqen shumë.

Konflikti mbi taksat është i tillë që samiti nuk mund të arrijë një deklaratë përfundimtare, përtej pjesëve që bien dakord mbi ndotjen e oqeaneve dhe barazisë burrë-grua.

“Nëse rezistenca amerikane shkon shumë larg, nuk duhen sakrifikuar parimet tona, interesat tona për një unitet fasadë”, thotë Elizeja.

Pra, nuk bëhet fjalë që të mos përmendet Marrëveshja e Parisit, apo të akuzohet Irani për mos respektim të marrëveshjes bërthamore.

Mbi tregtinë, Franca kërkon të thotë gjithashtu se tregtia duhet të jetë e hapur, e lirë, e barabartë mes shteteve të G7-ës.

Por kjo nuk është mosmarrëveshja e parë e grupit.

Në vitin 2014 Rusia e Vladimir Putin u përjashtua nga G8-a, e cilia i ishte bashkura në vitin 1998.

Por, këtë herë SHBA-ja kërkon një përgjigje përtej sistemit multilateral, duke mos pasur më besim në Organizatën Botërore të Tregtisë dhe institucionet e tjera.

Ajo përpiqet gjithashtu të anashkalojë Bashkimin Europian, blloku i parë ekonomik botëror për momentin.

“Trump kërkon të përdorë të gjithë gurët për të përçarë gjashtë të tjerët, që ata të dorëzohen dhe të bëjnë atë që do Trump, pra të zhvillojnë negociata dypalëshe. Deri tani të gjashtë kanë arritur të rrezistojnë mirë, por Trump ende ska mbaruar”, thotë Laurence Nardon, i Institutit Francez të Marrëdhënieve Ndërkombëtare.

Dyshja Trudeau-Macron do të ketë rastin që të paraqesë këtë front të përbashkët gjatë një konference për shtyp sot, një ditë para fillimit të samitit që do të zhvillohet të nesër.

Por, autori i “The Art of the Deal” ka treguar, në më shumë se 500 ditë në pushtet, se Trump nuk është i prirur që të zbutet.