Një prej mëngjeseve të javës së kaluar, Mohammad Javed tërhoqi një freskuese ajri jashtë biznesit të tij në Delhi, e vendosi karriken një metër më tutje, u ul dhe nuk lëvizi gjithë ditën.

Kur makinerisë i mbaroi uji, ai u kërkoi djemve që kalonin aty t’i sillnin një kovë.

Kur iu desh t’u jepte urdhra punëtorëve të tij në ndërtesën përtej rrugës, ai u thirri. Çdo pak minuta, ai rrufiste ujë nga shishja e tij dhe e pështynte në tokë, pa e gëlltitur. “Ramazan”, shpjegoi ai.

India veriore ashtu si Pakistani fqinj, janë përfshirë nga një valë e nxehti, me temperatura që shkojnë deri në 47 gradë celsius. Një shtresë ajri të nxehtë është vendosur sipër Delhit, duke zbrazur rrugët që zakonisht janë plot në kryeqytetin me popullsi të dendur. India është veçanërisht e brishtë ndaj rritjes së temperaturave që shoqërojnë ndryshimet e klimës.

Që prej vitit 1992, rreth 25 mijë indianë vlerësohet se kanë humbur jetën nga valët e të nxehtit. Megjithatë, vendi tashmë duket pothuajse optimist se mund të parandalojë të paktën një pjesë të këtyre rasteve.

Në dy vjetët e fundit, numri i viktimave që humbnin jetën nga sëmundje të lidhura me të nxehtin, ka rënë ndjeshëm, nga 2040 në vitin 2015 – kur rrugët u shkrinë nga i nxehti përvëlues – në gjysmën e kësaj shifre një vit më pas dhe u raportuan pak më shumë se 200 raste në vitin 2017, sipas të dhënave qeveritare.

Mbrojtësit e shëndetit publik thonë se kjo ka qenë për shkak të triumfit të logjikës së thjeshtë. Një kombinim i fushatave të ndërgjegjësimit publik, trajnimi për stafin mjekësor dhe ndryshime të thjeshta politikash – të tilla si hapja e dyerve të kopshteve publike gjatë ditës – kanë shmangur me mijëra vdekje për një kosto shumë të ulët.

Katalizator për këto masa u bë vala e të nxehtit që goditi në vitin 2010 në Ahmedabad, qytetin më të madh në shtetin perëndimor të Gujarat, që vrau më shumë se 1100 persona dhe nxiti autoritetet për të kërkuar ndihmë. “Gjëja e parë ishte ndërgjegjësimi i njerëzve se i nxehti mund të vrasë”, thotë Parthasarathi Ganguly, profesor i shëndetit publik dhe ish-zyrtar i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

“India është një vend tropikal, kështu që njerëzit janë mësuar me të nxehtin: ata e konsiderojnë atë një fenomen natyror. Ata thonë:  do të jetë nxehtë, ku është e  reja këtu?”

Sipas plan-veprimit Ahmedabad – zbatuar për herë të parë në vitin 2013, kur temperaturat u rritën aq shumë sa rrezikonin mosfunksionimin e organeve – u reduktuan oraret në shkolla, programet qeveritare u mbyllën dhe u shpërnda ujë falas në zonat më të dendura. Bojë e bardhë reflektuese u aplikua në çatitë e shtëpive në komunitetet më të varfra, duke i ulur temperaturat deri në pesë gradë brenda banesave.

Në spitale, stafi u trajnua të dallonte shenjat e para të goditjes nga dielli, përfshirë marramendjen apo diarrenë e fortë. Në vend që të prisnin në salla të mbushura, pacientët dërgoheshin me nxitim në dhoma të freskëta të pajisura me freskuese ajri, qese akulli dhe furnizim me energji që lejonte kondicionimin e ajrit.

“Doktorët nuk shkojnë më me pushime kur është vapë”, thotë Anjali Jaiswal, nga këshilli i mbrojtjes së burimeve kombëtare, me bazë në Shtetet e Bashkuara, i cili ishte këshilltari i plan-veprimit. “Ata shohin temperaturat dhe garantojnë që spitali të ketë staf”.

Ahmedabad tashmë ka shumë bamirës që dëshirojnë të shpërndajnë ujë. “Ata e shohin këtë si një veprim të mirë”, thotë Ganguly. Qeveria e qytetit thjesht ndan secilën organizatë bamirëse në një zonë të caktuar që të mbulohet gjithë qyteti. Dyert e kopshteve publike, zakonisht të mbyllura gjatë ditës, mbeten hapur në mënyrë që kalimtarët, policët e trafikut apo tërheqësit e karrocave të mund të gjejnë një vend në hije. “Këshilli nuk shpenzoi një rupi”, thotë Ganguly.

Testimi i parë që iu bë sistemit të ri ndodhi në maj 2014 kur, thotë ai, temperaturat sërish arritën nivelet që kishin vrarë më parë shumë njerëz. “Sipas vlerësimeve tona, 800 njerëz më pak humbën jetën. Në krahasim me koston e një jete të shpëtuar, është një nga programet më efektive të ndërhyrjes në shëndetin publik deri tani”.

Prej asaj kohe, 11 qytete të tjera kanë zbatuar masa të ngjashme me plan-veprimin dhe një i tillë po funksionon aktualisht në Delhi.

Autoriteti i menaxhimit të katastrofave kombëtare të Indisë synon të reduktojë bilancin e vdekjeve nga i nxehti në zero. Kështu deri tani këtë vit, thonë zyrtarët e qeverisë, i nxehti ka vrarë 11 persona. Temperaturat do të bien në të gjithë Indinë në fund të këtij muaji me mbërritjen e shirave të sezonit të musoneve.(tesheshi)