Në orën 17:00 nis finalja e madhe e këtij Botërori, ku Franca dhe Kroacia do të luajnë për të bërë historinë.
Ndërkohë, janë publikuar formacionet me të cilat dy skuadrat finaliste do të zbresin në fushën e lojës.

Franca: Lloris; Pavard, Varane, Umtit, Hernandez; Kante, Pogba, Matuidi; Mbappe, Griezmann, Giroud.

Kroacia: Subasic; Vrsaljko, Lovren, Vida, Strinic; Brozovic, Rakitic; Rebic, Modric, Perisic; Mandzukic.

***
Një sfidë që sheh të përballen me njëra-tjetrën Francën, një skuadër me vazhdimësi të drejtuar nga Deschamps, që kërkon titullin e dytë kampion të botës pas atij të vitit 1998, e Kroacinë, një kombëtare e drejtuar me sukses nga Zlatko Daliç deri në këtë arritje historike, finalja e parë në një Botëror. Mes tyre do të jetë argjentinasi Pitana, arbitri që do të gjykojë një ndeshje me shumë kampionë në fushë, ku spikasin veçanërisht sulmuesit: Mbappe dhe Griezmann nga njëri krah dhe Perisiç e Mandzukiç, nga ana tjetër.

Ndeshja e sotme mund të konsiderohet padyshim si ajo e ëndrrave, thënë ndryshe ajo që vendos se cili do të ngrejë trofeun më të lakmuar nga çdo futbollist në mbarë botën.
Veç Nestor Pitanas, i lindur në 1975-n, që do të vërshëllejë fillimin dhe mbarimin e sfidës në “Luzhniki” të Moskës, edhe asistentët e tij në sfidën Francë-Kroaci do të jenë nga Argjentina, Hernan Maidana dhe Juan Lattes.

Kjo do të jetë finalja e tretë për “gjelat”, që u ngjitën në majën e podiumit në vitin 1998 dhe e mbyllën me medaljet e argjendta në vitin 2006, pas humbjes me Italinë. Ndërkohë, ky i sotmi është rasti unik dhe historik për Kroacinë për të ngritur lart trofeun e Kupës së Botës, me kroatët që në të njëjtin vit kur “transalpinët” festonin titullin, arrinin rekordin e tyre me vendin e tretë të Botërorit “France ’98”.
Kjo do të jetë përballja e gjashtë mes këtyre dy kombëtareve, me Francën që është në avantazh, pasi nuk është mposhtur asnjëherë, ka arritur 3 fitore dhe dy barazime. Precedenti më i fundit që nuk mund të harrohet është ai i gjysmëfinales së Botërorit “France ’98”, kur kroatët kaluan në avantazh me golin e Davor Suker, por Lilian Thuram do të përmbyste gjithçka në favor të “bluve”./Tch/