Amiri dhe Senadi, nga Tetova kanë marrë rrugën për në Mekë për të kryer Haxhin. Mjeti i tyre transportues është thjeshtë biçikleta. Tashmë prej 25 ditëve janë duke shtegëtuar drejt vendit të shenjtë.

E për momentin gjenden në Turqi në qytetin e Ankarasë. Ata thonë se gjithçka ka shkuar mirë dhe nuk kanë pasur ndonjë lëndim apo vështirësi gjatë rrugës.

“Deri më tani kemi kaluar shumë mirë udhëtimi ka qenë mirë, probleme të mëdhaja nuk kemi pasur as edhe lëndime serioze nuk kemi pasur. Shpresojmë që edhe pjesën e mbetur të rrugës mos të kemi probleme. Deri këtu deri në Ankara kemi kaluar afërsisht 2 mijë km. Dhe prej Amman-it deri në Medinën e ndritur ka edhe 1100 km të cilat do t’i kalojmë sërish me biçikletë”, tha Amir Asllani.

Në Ankara po presim fluturimin për në Jordan, dhe arsyeja është se nga Turqia nuk mundën t’i marrin vizat për të hyrë në Arabinë Saudite.

“Për momentin gjendemi në qytetin e Ankarasë, dhe po presim fluturim për në Jordan, arsyeja është se nuk kemi viza dhe e vetmja mënyrë për të tentuar për të hyrë në Arabinë Saudite është kufiri tokësor. Aryseja pse ne nuk shkuam kah Egjipti është kjo meqenëse Egjipti kufizohet detarisht dhe nuk mund të afrohemi tek kufiri”, u shpreh Senad Idrizi.

Udhëtimi për në Haxh i këtyre dy shokëve është unik. Asnjëherë më parë nuk është ndërmarrë një iniciativë që me biçikleta të udhëtohet drejt Arabisë Saudite për të kryer Haxhin.

Dy djemtë në qytetin e Mekës-së duhet të arrijnë para 15 gushtit. Haxhilëku është pelegrinazhi i myslimanëve në Mekë. Si një nga pesë shtyllat e fesë islame është një detyrim fetar që duhet të kryhet të paktën një herë në jetën e të gjithë myslimaneve të rritur të cilët janë fizikisht dhe financiarisht të aftë për të ndërmarrë udhëtimin, dhe që mund të mbështesin familjet gjatë mungesës së tyre.