Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë se Kosova do ta marrë raportin pozitiv për liberalizimin e vizave nga Komisioni Evropian.

Në rrjetin social Facebook, Pacolli ka shkruar se ky do të jetë hapi i parë drejt liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Sot është ditë e madhe për Kosovën evropiane. Izolimit të padrejtë për qytetarëve po i vije fundi. Sot do të marrim raportin pozitiv për vizat si hap i parë drejt liberalizimit”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Zëvendëskryeministri Pacolli, është pjesë e delegacionit të Kosovës, i cili po qëndron sot në Bruksel. Delegacioni i Kosovës po përfaqësohet nga liderët në funksionet më të larta shtetërore të Kosovës, nisur nga presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Një rekomandim pozitiv nga Komisioni Evropian, është pritja dhe kërkesa minimale e autoriteteve të Kosovës në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave.