“A jeni për anëtarësim në BE dhe NATO, me pranimin e marrëveshjes midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?” Ky është propozimi për pyetjen e referendumit të kryeministrit Zoran Zaev, i cili përmes një postimi në rrjetin social “Twitter” iu drejtua qytetarëve të Maqedonisë.

Përderisa kjo dhe shumë çështje të tjera rreth organizimit të referendumit po diskutohen në takimin e liderëve të partive politike, analistët shprehen se formulimi i pyetjes nuk është me kushtëzim.

Ish-ambasadori i Maqedonisë në NATO, Nano Ruzhin thotë se në këtë propozim-pyetje janë përfshirë tre elementet kyçe që informojnë qytetarët se ardhmëria e vendit në rrugën euro-atlantike është e lidhur me ndryshimin e emrit kushtetues. Ai shprehet optimist se referendumi do të dalë i suksesshëm.

“Megjithatë, unë do t’i apeloj opozitës, me të vërtetë çfarë do të ndodhë nëse nuk arrin sukses referendumi? Kush do ta marrë përgjegjësinë? Si do të dalin para syve të bashkësisë ndërkombëtare dhe popullit se kanë refuzuar anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE? Në cilën mënyrë do të merren me politikë dhe me çfarë fytyre do të qëndrojnë dekadave të ardhshme?” deklaroi ish diplomati dhe analisti politik, Nano Ruzhin.

Analisti Albert Musliu thotë se karakteri i referendumit do të jetë konsultativ dhe sipas tij mjafton që shumica e atyre qytetarëve, të cilët dalin në referendum, të votojnë pro pyetjes së vetme. Musliu thotë se nëse VMRO-DPMNE bën thirrje për bojkot, atëherë tregojnë pafuqinë e tyre duke ikur nga gara.

“Gara më e mirë, më e drejtë dhe më e sinqertë është referendumi me pjesëmarrje. Nëse ndodh që VMRO-DPMNE të bëjë thirrje për bojkot, ata do të marrin përgjegjësinë e vet historike. Se kjo është çështje fondamentale për ardhmërinë e Maqedonisë dhe çdo thirrje në mospjesëmarrje në vendosje për ardhmërinë e Maqedonisë, ka edhe konsekuencat politike të saj.” deklaroi analisti politik Albert Musliu.

Sipas ekspertëve, partia më e madhe opozitare, e cila aktualisht ka 47 deputetë duhet të heqë lakminë për t’u rikthyer në pushtet, duke kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare, por se të jetë më bashkëpunuese kur bëhet fjalë për procese historike të shtetit. Ata sugjerojnë se për këtë çështje më së miri duhet të vendosë sovrani përmes referendumit dhe të respektohet vullneti i popullit për ardhmërinë e tyre. Si data të mundshme për t’u mbajtur referendumi janë 23 shtatori, 30 shtatori ose 7 tetori.