Në “Santiago Bernabeu” është prezantuar sot përforcimi më i ri i Real Madrid, Alvaro Odriozola. Futbollisti është nga Real Betis për 35 mln euro dhe luan si mbrojtësi i krahut të djathtë.

Për përforcimin më të ri foli presidenti Fiorentino perez, i cili deklaroi: “Është një futbollist që ëndërronte të vinte këtu. Shumë klube e kërkonin, por ai ishte shumë i qartë për ekipin ku dëshironte të lunate. Ne e mirëpresim Álvaro Odriozola. Faleminderit që zgjodhe Real Madrid. Ke zgjedhur të vish te klubi më kërkues, që dëshmon genin fitues. Ti vjen nga një klub i madh si Real, një klub mik shumë prestigjoz. Jam i sigurtë se me ne do të kesh sukses”.

Perez nuk u ndal këtu, por numri 1 i ‘galaktikëve’ foli për momentin që po përjeton klubin si dhe afrimet e reja: “Po përjetojmë një nga momentet më të mira në histori. Kemi fituar tituj sportiv unik. Kemi një soliditet institucional të parivalizueshëm dhe një fuqi financiare të fortë dhe bashkë me miliona tifozë, po përballemi me një kohë legjendare. Sfida jonë është të ruajmë identitetin. Nuk ka dyshime se do të kërkojmë triumfin e vazhdueshëm.

Ishin të shumtë ata që e konsideronin të pamundur për të fituar tre trofe të njëpasnjëshëm të Champions League. Asnjë klub nuk e kishte realizuar më parë, por ne ia dolëm, madje duke fituar titullin europian si në futboll ashtu edhe në basketboll. Ishte rezultat i talentit dhe sakrificës, i frymës së ekipit. Jemi të ndërgjegjshëm për pritshmëritë ndaj nesh. Ne jemi Real Madrid dhe duam gjithmonë më shumë. Çdo titull është hapi i parë drejt fitoreve të reja. Duhet të forcojmë të tashmen dhe të kaluarën. Ky është një ekip madhështor që do të përforcohet me futbollistë të shkëlqyer”, deklaroi presidenti i Los Blancos.(BalkanWeb)