Reali i Madridit kthehet në fushë për të nisur përgatitjet për sezonin e ri, ndërsa për herë të parë në nëntë vite, aty ka munguar Cristiano Ronaldo.

Portugezi finalizoi transferimin me vlerë 105 milionë euro te Juventusi, duke u prezantuar te kampionët e Italisë, ndërsa tashmë “Los Blancos” janë të përqendruar te nisja e ciklit të ri.Gareth Bale dhe Karim Benzema ishin dy prej yjeve të skuadrës, që u vendosën nën urdhrat e trajnerit Julen Lopetegui në ditën e tij të parë të punës.

Në total, nga ekipi i parë ishin vetëm 14 futbollistë, ndërsa grupi u plotësua nga lojtarët e akademisë të ekipit.

Mes fytyrave të reja në stërvitjen e Realit ishin dy blerjet e reja, Vinicius Jr. dhe Andrij Lunin.

Toni Kros dhe Kejlor Navas mendohet ti bashkohen ekipit për turneun International Champions Cup, ku më 31 korrik Reali do të luajë ndaj Mançester Junajtid, më 4 gusht përballë Juventusit dhe në datën 7 gusht ndaj Romës.

Ndërkohë, lojtarët e Spanjës, nga Sergio Ramos te Isco, Asensio e të tjerët nuk pritet të jenë në fushë përpara derbit me Atletikon e Madridit më 15 gusht, në finalen e Superkupës së Europës që do të luhet në Talin të Estonisë.

Në anën tjetër, pasi arritën finalen me Kroacinë, Luka Modriç dhe Mateo Kovaçiç pritet të jenë në dispozicion të ekipit vetëm në startin e edicionit të ri në La Ligan spanjolle.