Një gjykatë britanike ka shpallur fajtor 20-vjecarin londinez Naa’imur Rahman, pasi akuzohet se për një komplot për të ekzekutuar kryeministren e vendit, Theresa May.

20-vjecari, fanatik i ISIS kishte planifikuar me detaje planin për të vrarë kryeministrin e Britanisë në zyrën e saj.

Plani ishte që ai me një bombë të shpërthente një derë të Doëning Street dhe falë kaosit të krijuar të hynte në zyrën e saj dhe duke përdorur një thikë ose një armë ta ekzekutonte atë.

Nr. 10 Downing Street është rezidenca zyrtare dhe zyra e kryeministrave britanikë. Është e ruajtur shumë dhe ka një portë në fund të rrugës ku anëtarët e publikut dhe turistët mblidhen për të fotografuar pamje të shtëpisë.

“Ne po flasim për një individ që do të kishte vrarë dhe plagosur një numër njerëzish duke përfshirë zyrtarët e policisë dhe anëtarët e publikut”- tha Dean Haydon, kreu i Komandës kundër Terrorizmit të Policisë Metropolitane.

Komploti ndaj Kryeministres u zbulua kur Rahman besonte se ai po komunikonte me anëtarët e grupit militant të Shtetit Islamik (ISIS), ndërsa planifikonte sulmin e dyshuar por në fakt ishte duke folur me oficerët e fshehtë të Byrosë Federale të Hetimeve në SHBA dhe MI5 të Britanisë.

Rahman u arrestua nëntorin e kaluar menjëherë pas takimit me oficerët e fshehtë dhe atij iu sekuestruan dy pajisje shpërthyese. Gjate hetimeve u zbulua se autori kishte kontakte me xhaxhain e tij, i cili kishte udhëtuar në Siri dhe u bashkua me ISIS.