LSI ka përjashtuar deputetin e saj të Fierit, Robert Bitri, edhe nga vendi ku qendron në Parlament.

Kjo, pasi Bitri, ndryshe nga kolegët e tjerë të opozitës, ka votuar pro thuajse çdo projektligji të sjellë nga qeveria.

Pas kundërshtimeve të LSI-së, Bitri njoftoi largimin nga grupi parlamentar i LSI-së dhe tashmë figuron si një deputet i pavarur.

Pak ditë më parë, deputetja Kejdi Mehmetaj, në një reagim në Facebook, sulmoi kolegun e saj të LSI-së.

“Ky është portreti i Robert Bitrit, rilindasit më të ri të rilindjes së vjetër të Edi Ramës, i cili nuk ka se përse të qëndrojë më as formalisht në radhë me deputetët e LSI-së”, shkruante ajo.

Dhe duket se pas këtij qëndrimi të Mehmetaj, Bitri ka vendosur të reagojë.

Në seancën e djeshme ai është ulur në një vend tjetër të sallës duke u larguar edhe nga grupi i deputetëve të LSI-së.

Siç shihet edhe në foto, Bitri qëndron në fund të sallës, pas deputetëve të PS-së dhe ai që e shoqëron është deputeti i PS-së, Bashkim Fino.(TemA)