Kryeministri Zoran Zaev ka paralajmëruar se nëse grupet punuese të partive politike nuk merren vesh për KSHZ-në dhe për referendumin, atëherë mund të ketë takim liderësh.

“Gjithmonë ka qenë kështu. Nëse grupet e punës nuk mund të zgjidhin çështje të caktuara, ekziston opsion që të thirret takim liderësh dhe pa dallim se prej kujt do të ishte thirrur ajo. Prej meje ose prej dikujt tjetër lider i partive politike të shumicës parlamentare, ose nga lideri i opozitës apo cilësdo parti opozitare . Besoj se do të gjindet zgjidhje në nivel të grupeve të punës, pasi janë çështje që zgjidhen dhe janë të arsyeshme, mendoj se shpejtë duhet të përgjigjemi për informatë për qytetarët.”, ka thënë Zaev.

Sipas tij, KSHZ duhet të formohet menjëherë, sepse ai është obligim i Parlamentit dhe i të gjithë faktorëve politik në shtet.
Në periudhën në vijim do të debatohet edhe për datën e referendumit, çështjen e referendumit, karakterin e tij.

“Qytetarët kanë të drejtë dhe duhet të deklarohen në referendum”, tha Zaev, duke cekur se ka referendume me peshë të ndryshme, por ky ka rëndësi historike, sepse me të do të definohet e ardhmja drejt së cilës synon vendi ynë.

Në pyetjen nëse deri në fund të vitit pret që të ketë 80 deputetë të cilët do t’i zbatonin ndryshimet kushtetuese, Zaev theksoi se ai nuk është qëllim i shumicës në pushtet.

“Besoj se Parlamenti duhet të sigurojë 120 deputetë, nëse vullneti i qytetarëve do të jetë pozitiv në referendum”, theksoi Zaev dhe edhe njëherë shprehi optimizëm se deklarimi i qytetarëve do të jetë pozitiv dhe se shumica e madhe do ta mbështesë të ardhmen e vendit drejt BE-së dhe NATO-s.