Ideja për shkëmbin të territoreve është ideja më tragjike për qytetarët e Kosovës, ndërsa çdo marrëveshje me Serbinë matet me Mitrovicën.

Kështu u tha në tryezën “Loja me Kufij: Luftë apo Zgjidhje në Ballkan”, që është organizuar nga Emisioni ‘Jeta në Kosovë’.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti u shpreh se kufijtë e Kosovës duhet të konsiderohen të Republikës së Kosovës dhe asnjë person sipas tij nuk ka të drejtë t’i diskutojë në tavolinë.

Sipas tij deklaratat e presidentit Thaçi, për korrigjimin e kufijve dhe se marrëveshja do të jetë e dhimbshme ka tendenca që të kthehemi në vitin 2007 kur nuk e kishim statusin e definuar.

I pranishëm në këtë tryezë ishte edhe shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti i cili tha se ideja për shkëmbim territoresh buron nga lidershipi i Serbisë, është ide e Beogradit dhe Moskës e jo nga perëndimi.

Ai tutje shtoi se LDK nuk është kundër dialogut por kërkojnë që zgjidhja të bëhet në mënyrë të mençur.

Hoti idenë për shkëmbimin e territoreve e ka konsideruar si ide tragjike për qytetarët e Kosovës, ide kjo e cila sipas tij nuk sjell as njohje as anëtarësim në OKB, raporton KP, transmeton Klan Kosova.

Hoti po ashtu tha se kemi ngecur në njohjet ndërkombëtare, por që sipas tij kjo nuk nënkupton se duhet t’i bëhet rishikimi komplet shtetit të Kosovës.

Kurse, zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj i ka ftuar partitë opozitare që t’i bashkohen ekipit negociator të Qeverisë, por duke mos hyrë në tema se çfarë do të diskutohet në Bruksel për dialogun me Serbinë.

Sipas tij, qëndrimi i PDK-së është se nuk ka ndarje as korrigjim të kufijve dhe as shkëmbim territorial.

Tutje ai shtoi se diskutimi duhet të nis nga dy dimensionet e dështimit të Pakos së Ahtisaarit, përkatësisht për veriun e Kosovës dhe mos anëtarësimin e Kosovës në OKB.