Nga Helene Fouquet dhe Ben Sills –Bloomberg

Emanuel Makron duket se po rritet para syve të francezëve. Pak ditë para ditëlindjes së 41-të, presidenti francez dukej i hidhëruar, në daljen e tij i përulur para kombit, ndërsa përpiqej të qetësonte protestuesit, të cilët me protestat e javëve të fundit e kanë dëmtuar rritjen ekonomike të vendit dhe po kërcënojnë edhe axhendën e reformave të Makronit. “Mund t’ju kem bërë të mendoni se nuk i kam i kam marrë parasysh shqetësimet tuaja, se prioritetet e mia ishin diku tjetër”, tha Macron, i cili në fakt e ka krijuar këtë përshtypje që kur mori detyrën në maj 2017. “Mund të kem thënë fjalë që ju kanë lënduar”, shtoi Macron.

Presidenti më i ri në historinë e Frnacës, që nga koha e Napoleonit, e nisi presidencën e tij duke pritur udhëheqësit botërorë në Pallatin e Versajës, duke evokuar kështu madhështinë e ushtarit të kthyer në perandor dhe udhëheqësve të tjerë të nderuar të Francës.

Ai lançoi një sërë reformash jopopullore, duke i parë sondazhet që e projektonin në rënie mbështetjen e tij si shenjë e vendimeve të tij të forta.

Mund t’i shohim fazat e presidencës së Macron-it sipas referencave të tij historike. Kur ai mendonte se mund të pushtonte botën, kjo kishte të bënte me Napoleonin. Ai e çoi Presidentin Trump për të parë varrin e perandorit para se të darkonin në kullën Eiffel, në verën e vitit 2017. Tani që ai është nën rrethim për reformat e tij, referenca për Macron është Sharl de Gol, gjenerali i kohës së luftës dhe themeluesi i Francës moderne. Për fjalimin e tij televiziv më 10 dhjetor, Makron u ul në tryezën e shekullit të 18-të të De Golit – e kompletuar me sendet personale të presidentit të ndjerë dhe medaljen e luftës – duke imituar retorikën dhe qëndrimin e paraardhësit të tij. “Ai përdori të gjitha kodet historike që përdorën presidentët francezë kur situata e kërkonte”, thotë Zhan Garrig, një historian në Universitetin e Orleans-it, i cili e ndoqi nga afër Makronin që nga momenti kur bankieri 40-vjeçar, pjesë e shërbimit civil, themeloi lëvizjen e tij politike të quajtur En Marche në vitin 2016.

Nuk ishin të shumtë ata që u habitën kur përpjekjet e Makronit për të rimarrë ekonominë hasën në opozitë të ashpër në rrugë. Franca është e mësuar me protesta të dhunshme. Në fund të fundit, identiteti modern i kombit francez u formua nga revolucioni i 1789-s, që rrëzoi një aristokraci të lashtë për të çuar në lindjen e përgjakshme të Republikës së Parë. Por revolta e vrullshme e jelekëve të verdhë, e cila u shoqërua me daljen e mjeteve të blinduara në rrugët e Parisit, e kapi presidentin të papërgatitur. Ka shumë gjasa që jelekët e verdhë të kenë sjellë fundin e fazës perandorake të Makronit.

Ndjesa e tij 13-minutëshe ishte një përpjekje për të rivendosur mandatin e tij. Pasi kuptoi se ishte i prekshëm, ish-dramaturgu i shkollës së mesme u përgjigj duke shkruar një kthesë në dramën kombëtare. Në orën 8:00 të një mbrëmjeje të ftohtë, ai u shfaq në televizionin kombëtar i ulur në tryezën antike të De Golit në zyrën e tij ceremoniale në pallatin presidencial Elysee. Franca ishte gozhduar para ekranit, duke pritur të dëgjonte çfarë do të thoshte Makron për mënyrën sesi do t’i menaxhonte “konvulsionet” që përfshinë Parisin dhe qytetet e tjera. Më shumë se një e treta e popullsisë – rreth 23 milionë shikues – e ndoqën Makronin, një numër më i madh se i atyre që panë ekipin kombëtar të futbollit kur luante në finalen e Kupës së Botës, në korrik. “Ishte sikur po shihja dikë që po mësonte shpejt se si të ishte lider”, thotë Garrige. “Ai po mëson të jetë i përulur, të tregojë dhembshuri për qytetarët e tij”.

Ashtu si në botën e politikës, kjo kthesë e “skenarit teatral” të Makronit u organizua me vetëdije dhe u drejtua nga vetë presidenti. Edhe pse zakonisht vishet në mënyrë të përsosur, ai nuk ishte rruar para se deklarata të regjistrohej. Ai nuk mbajti vetëm fjalimin e tij, por foli edhe për politikën e gjerë ekonomike, një sekret i ruajtur për të tjerët, përveç këshilltarëve të tij më të afërt. Ministrat bënë sugjerime, por Makron shkroi skenarin e tij. Aksesorët vanitozë të elitës së pasur metropolitane nuk u shfaqën gjëkundi – iPhone-i i tij zakonisht i pranishëm kudo, nuk ishte i dukshëm; nuk kishte orë dore; asnjë vepër arti bashkëkohor nuk varej në murin pas tij. “Marr pjesën time të përgjegjësisë”, tha ai. Presidenti krenar, i cili pak javë më parë deklaronte se “unë do të vazhdoj e do të vazhdoj përpara”, tashmë po shfaqte pendesë.

Por a i ka nxjerrë ai mësimet e duhura? Lëvizja e jelekëve të verdhë është kryengritja e pestë e madhe që ka trazuar Francën që nga koha kur studentët u përplasën me policinë gjatë protestave kundër De Golit, në maj të vitit 1968. Në katër rastet e mëparshme, udhëheqësit e Francës moderuan financat e shtetit për të zbutur situatën. As Makron nuk bëri dallim prej tyre.

Programi i shpenzimeve prej 10 miliardë eurosh që ai prezantoi ishte një sfidë e gjatë në një politikë buxhetore që ishte përshtatur drejt disiplinës fiskale. Ai përshpejtoi rritjen e shpenzimeve për tre vitet e ardhshme. Një subvencion i financuar nga shteti prej 100 euro në muaj për çdo punonjës me pagë të ulët mund t’i kushtojë qeverisë më shumë se 5 miliardë euro në vit. Ai gjithashtu ka hequr taksat mbi orët e punës jashtë orarit dhe ka rritur pensionet më të ulëta. (Për të mundësuar shpenzimet e reja, Makronit iu desh të shtynte zbatimin e një prej premtimeve të fushatës: reduktimin e taksave për kompanitë e mëdha). Si rezultat, Franca ka gjasa të kalojë kufirin e deficitit prej 3 për qind të Bashkimit Evropian vitin e ardhshëm. Gjermania ndërkohë po kërkon që BE-ja të ndërmarrë veprime për buxhetin e Makronit, ashtu siç ka bërë presion mbi Italinë në lidhje me deficitin e saj. “Kjo është e patolerueshme dhe një inkurajim për të gjithë “mëkatarët” e deficitit”, tha në një deklaratë Hans Mishelbah, deputet i koalicionit qeverisës në komitetin e financave të Parlamentit gjerman. “Rasti francez nuk ndryshon nga ai i Italisë dhe si i tillë, nuk ka pse trajtohet ndryshe”. (Më 19 dhjetor Italia ofroi lëshime për të marrë miratimin e BE-së për buxhetin e saj.)

Makron ka më shumë gjëra për të bërë sesa të merret me pasojat e lëvizjeve të tij në buxhet. Atij i duhet të forcojë identitetin e tij të ri, më të përulur politik, me veprime dhe konsistencë. Përshtypja që ka lënë në një vit e gjysmë si president do të jetë e vështirë të fshihet nga kujtesa. Që nga fillimi, Makron duket se ka pritur që për shkak të reformave të propozuara, ai do të pësonte rënie të popullaritetit gjatë pjesës së parë të mandatit të tij dhe do ta merrte veten në kohë për betejën e rizgjedhjes në vitin 2022, kur përfitimet nga reformat të bëheshin të qarta. Dhe kështu, gjatë 18 muajve të parë, ai lehtësoi mbrojtjen e punës, hoqi taksat mbi pensionet, braktisi subvencionet e strehimit e tatimin mbi pasurinë. Duke e parë rënien e popullaritetit të tij si një simbol nderi, ai nisi të tregohej i pamatur me kapitalin e tij politik, i bindur se do të fitonte më shumë duke refuzuar të dilte nga kursi.

Si rezultat, shenjat paralajmëruese u injoruan. Mbështetja e Makronit te një grup i vogël këshilltarësh dhe asistentësh ndihmoi në nxitjen e tij në pushtet, por i njëjti sistem me qark të mbyllur ka dëmtuar presidencën e tij për njëfarë kohe duke e izoluar nga zemërimi publik dhe duke i ushqyer atij ndjesinë e të qenit i plotfuqishëm. I gjetur brenda rrethimit të votuesve, opozitës dhe disa aleatëve që i kërkonin të rishikonte stilin e tij presidencial, ai bëri pak për të ndryshuar.

Në fillim të nëntorit, Macron filloi një turne tetëditor në fushën e Luftës së Parë Botërore të Francës veriore. Ai e përdori udhëtimin për të paralajmëruar rreziqet e populizmit dhe nacionalizmit intolerant në retorikën e Evropës, që i shtoi tone figurës së tij në arenën ndërkombëtare. Por votuesit francezë nuk ishin të interesuar për këtë mesazh. Franca Veriore është goditur më rëndë nga rënia e industrisë prodhuese tradicionale. Është një vend i ftohtë, i vështirë, i rrënuar nga papunësia, pagat e ulëta dhe shifrat e larta të vetëvrasjes. Qytetarët që Makron takoi atje nuk donin leksione mbi historinë apo rëndësinë e multilateralizmit. Ata donin ta dëgjonin atë të fliste për atë që do të bënte për rënien e ekonomisë lokale, për punët që nuk u sillnin të ardhura të mjaftueshme për të përballuar jetesën dhe për vështirësitë e ekzistencës së përditshme jashtë Parisit të privilegjuar. Më pas, ishte taksa mbi karburantin ajo që e rriti këtë pakënaqësi.

Në mbrëmjen e 30 nëntorit – vetëm një natë para se protestuesit të digjnin makina, të plaçkitnin dyqane dhe të përlesheshin me policinë në kryeqytetin francez – “Le Monde” publikoi një shkrim në të cilin Makron dhe gruaja e tij, Brigitte, shpjegonin si do të dekorohej pallati Elize i shekullit XVIII. Mobiljet e reja, pikturat në mur dhe qilimat janë zgjedhur për të sjellë dritë brenda tij, rrëfente çifti presidencial. “Ne ndiheshim sikur pallati Elysee ishte kthyer në një fortesë që mbronte veten nga bota e jashtme”, tha Brigitte për “Le Monde”. Ndihmësi i saj, Pierre-Olivier Kosta, tha se Makron kishte qenë i pranishëm kur mbërritën pikturat e reja, sepse kjo i pëlqente shumë. Ndërkohë, ekstremistët më të dhunshëm të jelekëve të verdhë po përpiqeshin të planifikonin se si mund të depërtonin në pallatin Elize.

Sa i përket fjalimit të fundit të Makronit për përulësinë, ende ka shenja se vendosmëria e tij për të dëgjuar votuesit vijon. Por Makron ka refuzuar të ndryshojë politikën, që më shumë se çdo tjetër e ka forcuar reputacionin e tij si president i të pasurve: eliminimin e taksës së pasurisë. 70 për qind e popullit francez e mbështet rikthimin e kësaj takse.

Nuk ka as garanci se një ndryshim i karakterit do të ndryshojë fatin e presidentit – ose më e rëndësishmja, ekonominë franceze. Me vetëbesimin e tij, imazhin si i pacenueshëm që i është tronditur dhe rënien e mbështetjes në rreth 20%, ka dyshime nëse Macron do t’ia dalë në zotimin e tij për të përfunduar axhendën e reformave. Ai i ka futur financat e Francës në rrugën e uljes, thotë Stefan Barbie de la Ser, i Makor Capital Markets SA në Gjenevë. Borxhi kombëtar është afërsisht sa 100 për qind e prodhimit të brendshëm bruto, dhe pagesat e interesit kushtojnë 42 miliardë euro këtë vit. “Era” e mbarë ekonomike që nxiti muajt e parë të Makronit në detyrë po venitet, ndërkohë që rritja globale ngadalësohet. Parashikimi i fundit i Bankës së Francës jep një ide: Ekonomia e dytë më e madhe e eurozonës, thuhet, do të rritet me 1.5 për qind këtë vit dhe vitin tjetër, pak më poshtë rritjes prej 1.6 për qind të parashikuar nga Banka Qendrore në shtator, përpara fillimit të protestave. Ndoshta më e rëndësishmja: sondazhet tregojnë se partia e tij mund të lihet pas nga nacionalistët e Marine Le Pen në zgjedhjet e Parlamentit Evropian, në maj. Kjo do të ishte një goditje e rëndë për autoritetin e Makronit.

Presidenti është zotuar se do t’i zbatojë reformat e tij më të rëndësishme, por mbetet e pasigurt se kur ose nëse kjo do të ndodhë. Marrëdhëniet e tensionuara të Makronit me sindikatat po kërcënojnë të vonojnë reformën e sigurimit të papunësisë. (Sindikatat e punëtorëve janë përgjegjëse për sistemin e sigurimit të papunësisë.) Ndërkohë, edhe reforma më e komplikuar dhe më e plotë e sistemit të pensioneve mund të shtyhet.

“Sillni ndërmend se kjo është puna e tij e parë si politikan”, thotë Garrig. Por në sytë e shumë francezëve, nuk është e qartë nëse Macron dëshiron të jetë presidenti i Francës apo poeti i tij kombëtar. Ai ende krijon dyshime nëse politika është ajo me për të cilën është i prerë.

Në Buenos Aires, në samitin e fundit të G-20, Makron iu largua gjeopolitikës së nivelit të lartë për të takuar një grup shkrimtarësh argjentinas. Ai u tha atyre se seanca ishte një “shkëputje e magjishme” nga përgjegjësitë e tij dhe se ende shkruan çdo ditë dhe ëndërron për një kohë kur mund të përqëndrohet në artin e tij. “Një ditë do të kem mbaruar me gjithë këtë dhe do të kthehem te e vërteta”, tha ai. “Por unë nuk e di kur do të jetë ajo ditë”. E ndërsa thoshte këto, jelekët e verdhë kishin pushtuar Parisin në një nga protestat më shkatërruese të viteve të fundit. (TemA TV)