Në pritje të epilogut nga kërkesat për amnisti, gjykimi i sotëm për 27 prillin, i fundit për këtë vit, u zhvillua në mënyrë të qetë dhe sipërfaqësore. Gjykatësja Dobrilla Kacarska fillimisht deshi të anulojë gjykimin për javën e dytë të janarit, por pas sugjerimeve të mbrojtjes për të vazhduar me provat e fundit, Kacarska lejoi që të prezantohen provat e mbetura, në mënyrë që seancën e ardhshme gjyqësore, Prokuroria të nisë me fjalët përfundimtare. Por, ka gjasa që për shkak të amnistisë, fjalët përfundimtare dhe akuza të pësojnë ndryshime dhe kështu të jepet afat shtesë për përgatitje të prokurorisë.

Në seancën e sotme u prezantuan provat e disa prej të akuzuarve, mes tyre edhe ato të Mitko Çavkovit. Një shkresë nga MPB-ja që e ka kërkuar vetë ish shefi i njësiteve speciale policore, thotë se ditën kritike të 27 prillit, askush nuk ka kërkuar forca policore shtesë nga Manastiri, Tetova ose Ohri.

Çavkov ka vendosur që të përballet me drejtësinë dhe është një ndër të paktët që nuk ka bërë kërkesë për amnisti. Avokati i tij Sasho Dukovski, u tha gazetarëve se klienti i tij ka marrë vendim që të mbrohet deri në fund, dhe e dinë se amnistia është destinuar për individë të caktuar, prandaj nuk e merr mundimin të aplikojë siç tha, në këtë cirk.

Sasho Dukovski, avokat

“Skemi bërë kërkesë dhe nuk kemi ndërmend të bëjmë. Ka disa arsye. Të deklarohesh i pafajshëm dhe pastaj të kërkosh amnisti, për mua si jurist, kjo gjë nuk përputhet. Amnistia është selektive, dhe nuk ka lidhje me luftën tonë juridike për të dëshmuar pafajësinë. Ky ligj është i bërë vetëm për një kategori të akuzuarish dhe e arriti qëllimin politik. Prandaj ne nuk do të marrim pjesë në këtë cirk”

Mbrëmë ishte dita e fundit për paraqitje të kërkesave për amnisti. 64 persona të dyshuar, akuzuar ose dënuar, nga raste të ndryshme që kanë lidhje me 27 prillin e përgjakshëm, kanë shprehur dëshirën që të lirohen nga akuzat. Mes tyre u gjet edhe emri i avokatit Elenko Millanov, por ai nuk deshi tu tregojë gazetarëve se për çfarë arsye emri i tij qëndron në mesin e kërkuesve të amnistisë.

Tani dilema është se kush do të thotë fjalën përfundimtare se kush mund të përfitojë nga amnsitia pasi kryetari i gjykatës Penale Ivan Xholev, dje pranoi se gjykatësja Dobrilla Kacarska e refuzon këtë përgjegjësi. Por kryetari i gjykatës nuk e fshihte mendimin se dëshiron ta vendosë Kacarskën në krye të vendimit, pasi Këshilli Penal, nuk është i njoftuar direkt me lëndën. Prokuroria do të ketë vetëm rolin këshillues, ose propozues, pasi do japë vlerësime dhe fakte se kush duhet të amnistohet, ndërsa fjalën e fundit e ka gjykata. Sipas logjikës dhe zhvillimeve, vendimet për amnisti duhet të merren vesh para fjalëve përfundimtare të prokurorisë. Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/