Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas ka deklaruar se raketat bërthamore amerikane nuk duhet të vendosen në Gjermani apo kudo në Evropë, teksa është pyetur për debatin e shpërthyer së fundmi midis Uashingtonit dhe Moskës për kontrollin e armëve.

“Vendosja e raketave të reja me rreze të mesme do të pritej me rezistencë në Gjermani”, tha Maas në një intervistë për agjensinë e lajmeve dpa.

SHBA është e bindur në idenë për t’u larguar nga traktati 30-vjeçar i INF-së me Rusinë, që ka penguar Uashingtonin të vendosë raketa me rreze të mesme në Evropë. Të dy vendet akuzojnë njëra-tjetrën për shkeljen e traktatit, dhe të dy mohojnë çdo keqbërje nga ana e tyre.

“Në asnjë mënyrë nuk duhet të bëhet Evropa skena e një debati mbi ndërtimin e armëve”, tha ministri gjerman, duke i mbyllur automatikisht derën Presidentit amerikan Donald Trump.

Vendosja e armëve bërthamore në përgjigje të shkeljeve të supozuara të traktateve është logjika e epokës së Luftës së Ftohtë, beson diplomati gjerman.

“Armatimi bërthamor është sigurisht përgjigja e gabuar. Politika e viteve ’80 nuk ndihmon për t’iu përgjigjur pyetjeve të sotme”, tha ai.

Ndërkohë, SHBA po akuzon Rusinë për ndërtimin e raketave të ndaluara nga traktati i INF, ndërsa Moska thotë se sistemet amerikane të mbrojtjes nga raketat tashmë të stacionuara në Evropën Lindore lehtë mund të konvertohen në raketa sulmuese balistike.

Në tetor, Shtetet e Bashkuara njoftuan se do të tërhiqen nga traktati nëse Rusia nuk ndalon shkeljet e supozuara dhe në dhjetor i dhanë Rusisë një afat kohor prej 60 ditësh për t’iu bindur rregullave.

Sipas zëvendës ministrit të Jashtëm rus, Sergej Ryabkov, Moska u informua menjëherë se vendimi ishte përfundimtar dhe jo një përpjekje për të filluar një dialog. Rusia ka paralajmëruar se do të duhet të përgjigjet nëse raketat amerikane stacionohen në Evropë, duke bërë çdo vend të BE-së një objektiv të mundshëm sulmi.