Në marsin e vitit 2017, revista gjermane “Der Spiegel” botoi një shkrim me titullin “Në një qytet të vogël”. Raportohej nga Fergus Falls, qytezë në Minnesota, që supozohej se ishte tipike për nga fryma e sojit të votuesve që e bën Donald Trumpin president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shkrimi ishte shkruar nga redaktori i “Der Spiegelit”, Claas Relotius, i cili supozohej se kishte kaluar një muaj për të raportuar nga kjo qytezë.

Dy banorë të Fergus Fallsit, Michelle Anderson dhe Jake Krohn, e lexojnë shkrimin një javë pas botimit – kanë deklaruar ata në një shkrim të publikuar online pas shpërthimit të skandalit, ka shkruar gazeta “Koha Ditore” në numrin e djeshëm.

Sipas Andersonit dhe Krohnit, shkrimi menjëherë shkaktoi dyshime në mesin e tyre. Në fillim menduan se mund të ketë pasur ndonjë problem me përkthimin; sepse shkrimi nuk ishte botuar në “Spiegel International”, version anglisht i revistës në internet, por e përdorën Googlen për ta përkthyer nga gjermanishtja në anglisht. Ama dyshimet nuk po u davariteshin edhe pasi kishin siguruar një version të përkthimit profesional dhe kështu vendosën që të faktonin e verifikonin pretendimet e shkrimit të Relotiusit.

Të mërkurën, pasi “Der Spiegel” zbuloi publikisht se Claas Relotius kishte kaluar vite me radhë duke shkruar paragrafë të paverifikuar, kishte sajuar citate dhe kishte shpikur skena në shkrimet e tij, Andersoni dhe Krohni e botuan shkrimin e tyre nën titullin, “Gazetari i ‘Der Spiegelit’ u kurthua në qytezën e vogël”.

Në shkrim, autorët theksojnë se ata kishin kaluar një vit e gjysmë duke u marrë me shkrimin e Relotiusit. Dhe Krohni do të shkruante më vonë në llogarinë e saj në Twitter: “Të mbushurit mend vetvetiu, ne do të donim të ishim shprehur më zëshëm paraprakisht. Por a do të na besonte ndokush?”

Përfundimi

Dhe përfundimi i tyre ishte ky: “Në 7.300 fjalë, ai shkroi me korrektësi për popullsinë dhe temperaturën mesatare vjetore të qytetit dhe disa gjëra të tjera elementare, si puna e emrave të bizneseve dhe figurave publike, gjëra që do t’i nxirrte edhe një fëmijë me kërkime në Google. Pjesa tjetër është fiksion i pastër (madje edhe shifra e pasaktë se 70.4 për qind e banorëve kishin mbështetur Trumpin, kur në fakt shifra ishte 62.5 për qind), që shtron pyetjen se pse ‘Der Spiegel’ kishte investuar në udhëtimin prej tri javësh të Relotiusit në Shtetet e Bashkuara, dhe se a do të duhej të kërkonte gazeta kthimin e parave, dhe çfarë thyerje institucionale çoi drejt verifikimit të fakteve të ekipit të gazetës, duke zbuluar këtë skandal”.

Relotius kishte portretizuar qytezën si një vend zi e terr, rurale dhe duke bërë kështu, kishte krijuar paragjykime të shëmtuar dhe dashakeqe. Raportimi kishte aq shumë rrena saqë Andersoni dhe Krohni kufizuan veten në nxjerrjen e “vetëm 11 rrenave më absurde”. “Der Spiegel” ka vendosur t’i botojë të njëmbëdhjetat, megjithëse ende nuk ia ka dalë të verifikojë edhe vetë me stafin e revistës. “Der Spiegel” tashmë ka dërguar një raport në Fergus Falls për të parë raportimin e Relotiusit dhe për të krijuar një pasqyrë reale nga terreni pas fabrikimeve të konfirmuara.

Dhe këto janë “11 rrenat më absurde” që i kanë verifikuar Anderson dhe Krohn.

Dragoi i përgjumur

Relotius e kishte përshkruar qytezën si një vend të shtrirë në një pyll të errët që dukej sikur të kishte jetuar një dragua në të. Në hyrje të qytezës kishte një shenjë në të cilën shkruante: “Mirë se vini në Fergus Falls, shtëpi, për dreq, e njerëzve të mirë”.

Anderson dhe Krohn shkruajnë se qyteti shtrihej në stepa dhe se shenja shkruante vetëm “Mirë se vini në Fergus Falls”.

Administratori i qytetit të virgjër

Në shkrimin e Relotiusit, thuhej se administratori i qytetit, 27-vjeçari Andrew Bremseth, asnjëherë në jetë nuk kishte pasur të dashur dhe se gjithnjë bartte një pistoletë të kalibrit prej nëntë milimetrash të tipit “Beretta”. Madje shkruante se admironte filozofët francezë të shekullit tetëmbëdhjetë. Dhe asnjë prej këtyre nuk ishin të vërteta.

Qyteti i obsesionuar me “American Sniper”

Relotius shkruante se kinemaja e Ferguss Fallsit ende po emetonin filmin e luftës, “American Sniper” dy vjet pas premierës së tij.

“Kjo anekdotë që mbështeste shkrimin e ekzagjeruar të Relotiusitut për një qytet të vogël, të dhënë pas armëve, ishte më së lehti që të verifikohej dhe vazhdon të jetë diçka e çuditshme, apo një rrenë e rëndomtë që e sajon ai”, shkruajnë Anderson dhe Krohn, duke bërë të ditur se kanë folur me menaxherin e kinemasë së qytetit, i cili u kishte treguar se filmi ishte emetuar rreth një muaj në fillim të fitit 2015.

Neil, minatori që nuk ekziston

Neil Becker, një 57-vjeçar që punon në një minierë qymyri, përmendet në shkrim, madje edhe i botohet një fotografi.

“Krejt e njohim atë njeri”, shkruajnë Anderson dhe Krohn. “Ka vetëm një dhe ai është Doug Becker, i cili punon në UPS dhe drejtoi qendrën e fitnesit të Fergus Fallsit për vite me radhë”.

Rrena për Marinë dhe Izraelin

“Maria Rodriguez, nënë dhe pronare restoranti nga Meksika, e cila ka ardhur në SHBA para disa vitesh, gjithashtu e sheh Trumpin si shpëtimtar”, shkruante Relotius. Në shkrimin e tij, ajo vuante prej problemeve me veshkë dhe se shërimi po i kushtonte shtrenjtë. Dhe kishte një djalë me emrin Izrael, të cilin po ia ngacmonin në shkollë.

Anderson dhe Krohn kanë vërtetuar se sëmundja ishte sajuar, ndërkaq djali i Maria Rodriguezit e kishte emrin Pablo, e jo Israel. Dhe se Maria nuk ishte pronare, por shërbëtore restoranti. Relotius kishte fotografuar djaloshin, por asnjëherë nuk kishte folur me të.

Pamja nga “Viking Cafeé”

Gazetari i “Der Spiegel” shkruante se prej “Viking Cafeé” shihej miniera e qymyrit. Megjithatë ndërtesa e kafesë nuk ka pothuajse fare dritare, kanë vënë në pah Anderson e Krohn dhe se miniera e qymyrit ndodhej rreth tri kilometra larg dhe prapa një kodre që ia zë pamjen.

Rrenat për bibliotekën

Në shkrimin e Relotiusit, administratori i qytetit përshkruhej si një njeri që ofronte kurse për “iPad” . Ai shkruante se seria më e preferuar e tij ishte “Games of Thrones”.

Dhe këto përshkrime ishin të sajuara, shkruajnë Anderson dhe Krohn.

Siguria e shkollës së mesme

Në raportimin e Relotiusit thuhet se shkolla e mesme kishte derë me xhama të blinduar dhe se kishte një skaner armësh. Në realitet shkolla ka dy palë dyer të hyrjes dhe natyrisht se vërtetohet se shkolla nuk kishte dyer të blinduara dhe skaner armësh.

Supersekreti i birrarisë

Relotius shkruante se si administratori i qytetit shikonte ndeshjen e “Super Bowl” prej restorantit “Unionin Pizza”.

Kjo superndeshje e famshme në Amerikë zhvillohet të dielave, derisa restoranti i cituar nuk punon fare të dielave, faktojnë Anderson dhe Krohn. Administratori u ka thënë atyre se nuk shikonte fare këtë ndeshje.

“Mbrëmja Perëndimore” ku nuk ftohej askush

Relotius ka një përshkrim për një ndejë verore ku krejt banorët e qytetit vishen me stil të kaubojve. Dhe se aty ndizeshin skarat dhe bëhej qejf i madh rreth zjarrit.

“Na duket qesharake, për të mos thënë edhe frymëzuese për një ngjarje të tillë në të ardhmen”, shkruajnë faktuesit.

Udhëtimi i shkollës së mesme për në New York

Relotius pretendonte se nxënësit lokalë të shkollës së mesme kishin bërë një udhëtim në qytetin njujorkez dhe kishin qëndruar në ndërtesën e famshme private të Trumpit.

Anderson dhe Krohn nuk i kanë dalë të sigurojnë asnjë dëshmi për këto pretendime. Sikurse nuk janë gjetur as emrat e nxënësve që u referohet Relotius.

Për fillim, “Der Spiegel” ka nisur me verifikimin e fakteve të shkrimeve të Relotiusit dhe të dhënat e para tregojnë se faktet e Andersonit dhe Krohnit janë të qëndrueshme. Shkrimet e Relotiusit nuk do të hiqen nga versioni online i gazetës derisa nuk verifikohen të gjitha të dhënat.