Nga Mentor Kikia

Aq shumë panik nga politika, sa nuk arritën ti hedhin qoftë dhe një gurë.

Aq shumë neveri nga politika, sa në emër të neverisë zgjodhën ti qëndrojnë sa më larg.

Aq shumë urrjetje ndaj partive por nuk arritën ti shkojnë asnjërës deri tek dera për ti rënë me shkelm.

Aq shumë mllef kundër politikës, por as edhe një kërkesë të vetme për të vënë gishtin mbi këtë plagë.

Aq shumë dëshirë për të ndryshuar diçka në këtë vend, që më shumë se kujtdo u përket atyre, por nuk arritën të hedhin as edhe një ide të vetme se çfarë mund të ndryshojnë.

Aq shumnë dëshirë për ta bërë një protestë popullore, por mbetën me vendosmeri vetëm brenda gardhit të universitetit.

Aq shumë pritshmëri nga qytetarët, sa kishte dhe nga ata që, në eufori e sipër anulluan ikjen nga Shqipëria. Por asgjë nga ajo që ata prisnin.

Aq shumë energji, por asnjë lëkundje.

Aq shumë thirrje kundër politizimit të protestës, por aq shumë mercenarë politikë brenda saj, që jo vetëm e moderuan, por edhe e paketuan dhe e nisën më në fund edhe me pushime.

Dhe ja, pas mbeti një kujtim i mrekullueshëm dhe këto batanije në bulevard si teshat e krevatit të atij që sapo ka ndërruar jetë.

Studentët grekë në 2007 protestuan për muaj me radhë, derisa e shembën sistemin arsimor e themeluan një të ri.

Studentët në Kiev, në 2013, mblodhën rreth vetës një popull të tërë dhe rezistuan 3 muaj, Dhjetor-Shkurt, natë e ditë në sheshe, nën një dimër ukrainas, deri në minus 27 gradë, derisa e larguan presidentin që e kishte bërë vendin aneks të Rusisë.

Gjatë gjithë këtyre ditëve, kam shkruar shumë mesazhe inkurajuese për të rinjtë që kishin ideale, dhe ju kam kërkuar ti shpërndani këto mesazhe, që sa më shumë njerëz ti lexonin ato. Sot po ju kërkoj sërish ta shpërndani këtë postim, por me qëllim që ata që ikën me pushime ta kuptojnë se çfarë patën në dorë të bëjnë, e nuk e bënë.

Dhe këtu nuk e kam fjalën për të rrëzuar një qeveri.